Monday, December 9, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik -nga Nurie Emrullai

Cikël poetik -nga Nurie Emrullai

Orfeut tim

U harxhua ëndrra ime
si një çamçakëz i tejpërtypur,
që ia harron shijen e parë.

S’e di çfarë më mban akoma këtu,
sa kohë do të rrinë çelur portat e mishit për mua?
Më vjen të teshtij,
por kjo s’lejohet në ëndrra dhe varrime,
ndryshe duhet të gris mbathjet e trupit tim.

Ti më shfaqesh përtej rruge,
dhe unë atëherë kujtohem,
se ëndrrat kanë mesazhe.
unë afrohem të të prek dorën,
ti këtë herë shikomë!
Orfeu im, hapi sytë këtë jetë
dhe kundroje shpirtin tënd,
jam e bërë për ty,
prej dëshirash e gjaku,
prej pritjesh e mishi,
jam e bërë në ditë dhe shekuj,
jam gati të hidhem zjarreve për ty,
jam shumë gati…
të ha hirin e eshtrave të mia për ty.

Ti përtypesh,
dashurinë e mbledh topth,
e pështyn rrugëve,
një pëllumb gënjehet pas tij,
e provon ta hajë dhe mbytet.
Dikush më shkund nga krahët
dhe më zgjon të bëhem gati
për një ditë të re.

………………………………………………..

Udhëtar

Më çoni atje,
ku perënditë janë në paqe me veten.

Ku mbrëmja nuk është aq e dhimbshme,
sa veç për të fjetur.

Më çoni atje,
ku buka hahet prej dëshire,
jo veç prej mungesës së gjithçkaje tjetër.

Të shkoj atje,
ku gjallë akoma është dashuria,
dhe veç prej saj çelin frutet,
e jo nga frika mos vjeshtohen degët vetëm.

Më çoni atje
ku njerëzit japin ditës dritë dhe
shpirtin e ndjejnë gjallë brenda tyre.

Më çoni atje,
ku perënditë janë në paqe me veten.

Dhe t’u rrëfej numërimin e viteve tona…

Lidhur pas hëne

Hëna m’ka lidh pas saj…
Unë si e çmendur
kërkoj të më lëshojë…
‒ Më lësho! – bërtas
‒ Nuk të dua!
Kurrë s’kam dashur në jetë.
Veç njëherë!
Atëherë thanë se isha fëmijë
(ku merrja vesh nga dashuria?!)

Mos ndriço dhe ti!

Lërmë të zhytem në thellësinë e natës…
S’të dua as ty, as botën,
në jetë veç një herë më kanë dashur
(dhe nuk e mbaj mend)
atëherë isha fëmijë…

Hëna m’ka lidh pas saj..
Unë si e çmendur
kërkoj të më lëshojë…


X

Të kam blerë një ëndërr
në pazarin e Esmës.
Ajo ma dha lirë
e më premtoi se është e bukur.

Në pazarin e vjetërsinave,
mes krevateve të braktisur prej lëkure të vërtetë,
karrigeve pa tavolina
dhe ca byzylykë të këputur,
që mbajnë erën e dikujt që s’e njohim,
mes atyre gjërash,
gjeta këtë ëndërr t’harruar.
Esma ma premtoi se:
Ajo qenka e paëndërruar më parë,
pastaj si të thuash,
pas një pazari të gjatë…
Ajo ma shiti aq lirë, sa ma fali!

Tani merre
sepse unë nuk di ç’t’i bëj,
s’do të mbahet në duart e mia,
shpirtin më ka ngrënë gjatë gjithë rrugës.
Duket, vendet e braktisura nuk i do.

Merre, tani është e jotja!
Provoje a të nxen?

………………………………………………….

Të pathënat e një jete

Në kohën që po jetoj,
ajo çka më pak dua është trishtimi yt.
Andaj unë po ik i dashur,
për të të lënë me përgjigjet e pakta që i ke mbi botën,
e ty fatmirësisht të mjaftojnë.

Po ik për të të lënë me frikën tënde,
të jesh i lirë prej dashurie,
të njohësh njerëz të tjerë,
e t’i duash dhe ata veç për një ditë,
siç më doje mua…

Ajo çka u rrit bashkë me ne,
në ty ishte frika, në mua fjalët e pathëna,
që s’patën vend e kohë për të t’i thënë më.

E çka nëse të thoja se të dua?
Nata përsëri do të vinte pa hënë,
në ty përsëri frika do të ishte më e fortë se dashuria.

Prej njerëzve mësova se ata jetojnë me frikën
e të dashuruarit marrëzisht,
frikën e të puthurit siç puth Uliksi tokën e vet,
siç puthi për herën e fundit Kalipso Odisenë…

Prandaj sonte është nata e fundit
që i shoh yjet nga kjo anë
e në ata kudo shikoj fytyrën tënde.
Kam për t’u kthyer në hije si kjo natë sonte,
aq e heshtur do të bëhem, njëjtë sikur erdha…

Do të ik

Duhet të ik. Kjo është e pashmangshme.
Prita se dikush do më kërkonte.
Asgjë s’erdhi në jetën time të lëmuar dhe shkëlqyese si teh thike.

Ndryshova veten gjer në rrënjë.
S’ma kërkoi kurrë asnjë. Sa e dhimbshme!
E ndryshimi i rrënjve than gjethet.
S’ka më as filiza. S’ka më as pranvera.
S’ka zogj që vinë dritares sime;
unë vrisja vetminë, ata donin bukën time. S’ka më as bukë.

Ngulmoja se dikush do ta sjellë çelsin e burgut tim.
Dikush do të ma ndërrojë racionin e ushqimit në mendim.
Dikush a diçka do jetë e vetmja ndodhi e imja. E unë do kem më n’fund diçka.

Sa e gabuar, të mos dallosh Do të pres dhe Të pres.

Një karrocë po ma ndal mendimin.
Vrapon kali sikur i digjen këmbët në zjarrin e ferrit.
Heshtje e ftohtë na zuri të dyve si bora mbi shpinë varfënjaku.

Jo, jo, duhet të iki. Kjo është e pashmangshme.
Në fund të fundit është rruga ime. Karroca u ndal. Njeri mbi të s’kishte

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT