NJË HERË VDISET SI DUHET
Herën tjetër kur të vdesësh
nuk do t´jetë si heren e parë,
as e dhimbëshme, as e tmerrshme
Paj, një herë vdiset si duhet,
jo shpesh e keq
Pak kush do t´merret me ty,
as t´dëgjojnë n´vesh, as t´shohin me sy
Dikush do t´thotë se vetvdiq,
dikush tjetër, se e nguci mordjen,
dikush besa, që kot ishte n´mes t´gjallëve,
e dikush … sikur ti do t´ndjenë dhimbje,
jo për ty, por për veten e tij
Eh, më mirë vdis një herë me rend,
se përditë nga shumë e n´pa mend
Mjer si ai …
përditë copëza vdekjesh pas vdekjes,
as mordja s´i ka hije,
pas vdekjesh shëmtie
…
…………………………………………………………….
AH BRE TOKA JÈME
Si fort je lodhë o Atdhèu jèm,
ti gjysa e knèj Qafëmorinës i damë me teh dhimte
i bashkuem n´palcë shpirti
Veprime e mjerime t´paskan lodhë,
enigmë e enigmës … çka po ndodhë
t´paktën mëndja e mjegullueme po lypë pak njohuni
Je bâ si topi, merresh nëpërkâmbë
sa n´t´huejat, tash n´tonat … nesër n´t´kujat
Po kemi frikë me t´marrë n´dorë
tue mendue n´penallti ndëshkimi,
vetvetiu tue i dalë n´presë veti, tue lypë guxim ngjeti
Ec e hjekna tuten prej shpirti … ka bâ fole qyqje
ec e hjekna hilen prej zemre
ec … ec e kthena kah duhet e kah nuk druhet
oj rrâja e hijes tème
Ah bre Toka jème ku rashë n´hunë e n´buzë s´pari
e ku zemra më thotë me ra edhe s´mrámi
mènja kurrë marrë nuk ma ka se dalim kunra vetes,
se dalim anej kah vjen hasmi
diku n´shkallë gazi e marazi
… po qysh gjuen njeri kunra vetëkjenësie
sall me u dokë se kènka n´rreth miqësi
Po bre po … ku ndodhë o i dashtuni i shpirtit
me bâ diplomaci me veten
sa me u dokë se je i nig´jueshëm
bre, mësofshim prej miku e anmiku
…
…………………………………….
AH DJALOSH I SHTIGJEVE T´LUFTËS
(Luftëtarit të Lirisë Isuf D, Qetaj, postmortem)
Liria vuan,
kjanë, ofshanë, rënkon, lëngon …
kur i vdes luftëtari
Jemi formësuar bashkë, thot, Ai më rriti mua,
bashkë shtegtuam shtigjeve të ngushta,
bashkë pimë gurrave të gjakut
se plaga kërkonte flladitje
Etje të madhe pat Ai,
shkrumb të madh ndjeja unë për të,
veten nuk e kjava, isha në rrugëtim mbi supet e tij
Ofshamat e dhimbjeve nga plagët e majisuna
nuk ia ndjeu kush,
ia kish vnua dorën gojës së vetë,
majekrahçe mundohej të këndonte
I ri bre kjè, sa e pat ndalë lojen,
nuk më luhet më, tha
kemi derte tjera,
e vazhdoj me fëmijë e nipa
kur t´i vjen radha
kur t´i vjen dita
Sa e sa herë me sy e mati largësinë
prej aty ku kjë e deri atje në Atdhe,
vend për pëllëmbë nuk kish,
hapsinë e vogël “në mapa të vjetra”,
as tre gishtë vend në hartë nuk jânë,
për pakë orë kambtë atje t´çojnë
– Je shumë i ri, Lufta don burra,
shko e bëje shkollën,
ka ushtarë mjaft Vendi!
I mbetë hatri djaloshit,
nuk e kishte mësua tradita kështu,
e rëndë iu duk fjala,
i rëndë i erdh zâni
– Burrat nuk i bân mosha,
as madhësia e trupit e as ushtima e zânit,
unë e njoh veten më mirë se ju mua,
për luftë jam nisë këtij shtegu, s´ka pritë që më ndalë
dhe u nis kah bregu, pa bâ shumë fjalë
Ah, kujtesa bjen mallëngjim
o djalosh i shtigjeve të luftës,
Kosharen e ke krahëhapun, Ajo i don luftëtarët,
në Tokën e Premtueme, djalosh,
Ajo i pret çlirimtarët
e pavdekësia nuk njihka moshë