Saturday, July 27, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik nga Jan A. Kosova

Cikël poetik nga Jan A. Kosova

DRY DASHURIE

Nëpër mburoja urash, nga një dry po e mbyllin
Si shenjë të dashurisë, që nuk humbet një jetë
Dashurinë nuk e këput as dara që këput drynin
Po të jetë dashuri zemre, një dashuri e vërtetë

Ne nuk e kemi mbyllur asnjë dry, mbi asnjë urë
E po u këput dryni një ditë, mund të bie në lumë
Se mund të rrënohet një urë e ndërtuar me gurë
Por nuk këputet dashuria jonë, ty të dua shumë

Dashuria jonë e bekuar, një jetë nuk do vyshket
Ani pse në mburojën e urës, s’kemi vënë një dry
Dryni mund të zhduket, mund edhe të ndryshket
Por nuk zhduket kurrë, dashuria e zemrës për ty

DIELLI I BJESHKËVE TË MIA

Pas bjeshkëve të mia Dielli prap është fshehur
Shpirti ngazëllehet tek shikoj bjeshkën me sy
Shkëlqimi i ujit ngadalë shkon duke u zbehur
Por nuk zbehet kurrë dashuria e zemrës për ty

Dhe sonte është në gjumë edhe ëndrra e poetit
Do flejë i qetë edhe shpirti i dehur nga dashuria
Unë edhe lindjen e diellit do ta pres pranë detit
Do më zgjojë nga gjumi Dielli i bjeshkëve të mia

PRANË LUMIT TË DASHURISË SONË

Nën dritën e Hënës, për ty prap unë do të pres
Të ulemi atje, pranë lumit, si në kohën e rinisë
Le të na shikojnë yjet nga lart, deri në mëngjes
Sytë të na shkëlqejnë Bukuroshja e Dardanisë

As lumi s’është si ishte, gati sa nuk ka shteruar
Mbeti vëtëm pak ujë, pa shenjë të kthjelltësisë
E, e pastër si loti, mbeti dashuria jonë e bekuar
Dashuria ime për ty, Bukuroshja e Dardanisë

Le të na shikojnë yjet nga lart e le të habiten
Le të zgjojmë tek yjet ndjenjën e xhelozisë
Se ka dashuri që ndoshta, kurrë nuk përseriten
Ashtu si dashuria jonë, Bukuroshja e Dardanisë

JETËSHKRIMI

Jan A Kosova ka lindur në vitin 1971, në Çubrel të Drenicës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, të mesmen në Skenderaj dhe në Mitrovicë, (shkolla e mesme e mjekësisë)
Në fillim të viteve 90 ka emigruar në Gjermani. Ka punuar në fillim si infermier në qytetin Gelsenkirchen dhe më pas ka studiuar për Mjekësi në Universitetin e Bonit. Aktualisht punon si specialist kardiolog në Kliniken e Kardiologjisë në Bon.
Ka filluar të shkruaj qysh në fëmijëri por nuk i ka ruajtur ato poezi. Poezisë i është rikthyer me shumë intensitet në pesë vitet e fundit. Fillimisht poezitë i ka botuar në gazetat e Tiranës dhe të Prishtinës ndërsa në vitin 2018 i ka botuar dy vëllime poetike, për të vazhduar me botime të reja pothuajse çdo vit.
Është i martuar me personazhen kryesore të vargjeve të tij, Bukuroshen nga Dardania, të cilën e konsideron frymëzim të poezisë së tij! Përveç frymëzimit kjo bukuroshe ia ka dhuruar atij tre fëmijë me emrat Edi, Lili, e Toni!
Është adhurues i Fishtës e i Lasgushit; i këngëve të motrave Bunjaku, por edhe të Dua Lipes e Rita Orës.
Moto e tij e jetës është: “Të dua, edhe kur nuk të them të dua”!
Poezinë e dashninë nuk i ka ndalë as kur është përballur me pandeminë!

Deri më tani ka botuar këto libra:

  1. Rebel i dashurisë (2018);
  2. Në përqafimin tënd (2018);
  3. Infinit dashurie (2019);
  4. Baladë e dashurisë dardane (2019);
  5. Edhe nëse shuhen yjet (2020);
  6. Saga e dashurisë dardane 2020);
  7. Larg brigjeve të mia (2020);
  8. Ujëvara e jetës sime (2021); dhe
  9. Dry dashurie (2021)
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT