Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vendosur që të shkarkojë sot dy drejtorë të burgjeve në Kosovë.
Heset Loku, drejtor i burgut në Prizren dhe Arif Beqa, drejtor i burgut në Pejë, janë dy emrat për të cilët ministrja Haxhiu ka marrë vendim për shkarkimin e tyre.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Telegrafin vetë ministrja Albulena Haxhiu. Haxhiu ka treguar se vendimin për shkarkimin e tyre e ka marrë sot.
“Po janë shkarkuar për shkak se kanë fshehur ngacmimin seksual ndaj një të miture. Vendimi është marrë sot”, ka thënë shkurt ministrja Haxhiu.
Në vendimin për shkarkimin e Heset Lokut të cilin e ka siguruar Telegrafi thuhet se më të 20.12.2021, Ministria e Drejtësisë ka pranuar raportin e hetimit nga ana e Komisionit hetimor përkitazi me ngacmimin seksual nga ana e mësimdhënësit të informatikës I.B ndaj të miturës SH gjatë procesit mësimor që është zhvilluar në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan. Bazuar në raportin e hetimit përkatës, rezulton se z . Heset Loku, në cilësi të Drejtorit të QKF-së në Lipjan, pas njoftimit për rastin e ngacmimit seksual në QKM në Lipjan ka emëruar një komision hetimor për hetim të këtij rasti. Komisioni i emëruar për hetim të këtij rasti është shuar menjëherë pas emërimit nga ana e z.Loku, me arsyetimin se pas ngacmimit seksual, z.Loku kishte biseduar me të miturën S.H dhe nënën e saj, me ç’rast ishin marrë vesh që rasti të mbyllet dhe të mos procedohet tutje. Krejt kjo me pretendimin e ruajtjes së integritetit të së miturës, rrethit shoqëror dhe familjar. Me këtë rast z.Loku, sipas raportit të hetimit nuk kishte mbajtur asnjë shënim zyrtar. Në raportin e hetimit, konstatohet se e mitura S.H, në prezencë të zyrtares sociale ka deklaruar se gjatë orës së informatikës, mësimdhënësi i informatikës I.B e ka ngacmuar seksualisht duke pyetur fillimisht se “meqë lirohesh këto ditë a ka mundësi të pijmë kafe së bashku në Prizren” dhe më pastaj e ka pyetur “a po bëhesh nusja ime”. Lidhur me këtë rast z.Loku, edhe pse ishte i njoftuar me rastin, nuk e ka njoftuar, Drejtorinë Komunale për Arsim në Lipjan, pasi që personi i supozuar për ngacmim seksual ka qenë punëtor i arsimit DKA-së në Lipjan. Po ashtu z.Loku nuk e ka njoftuar as Drejtorin për Trajtimin e të Miturve në kuadër të Drejtorisë Qendrore të SHKK-së lidhur me rastin. Për më tepër komunikimi i zyrtarëve përgjegjës, përkatësisht udhëheqësve të institucioneve korrektuese lidhur me këtë rast është zhvilluar pa protokoll përkatës dhe përmes formës jozyrtare. Kësisoj rasti është mbyllur nga z.Loku pa u zhvilluar hetim përkatës dhe pa njoftim të organeve kompetente.
“Bazuar në të gjeturat e raportit të hetimit përkatës, konstatohet se z.Loku, ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive të punës, përkatësisht dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publik, nga neni 46 par.3 nën paragrafi 3.3 dhe 3.1 . Andaj , bazuar në rrethanat e lartcekura si dhe propozimin e Zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të SHKK – së u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendim. Ndërkaq në vendimin e MD-së për shkarkimin e Arif Beqa thuhet se “më datë 20.12.2021 , Ministria e Drejtësisë ka pranuar raportin e hetimit të kryer nga Komisioni Hetimor përkitazi me ngacmimin seksual nga ana e mësimdhënësit të informatikës I.B ndaj të miturës S.H gjatë procesit mësimor në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan . Bazuar në raportin e hetimit përkatës , rezulton se z . Arif Beqa , në cilësi të Drejtorit të QKM – së në Lipjan, pas njoftimit për rastin e ngacmimit seksual në QKM në Lipjan nuk ka ndërmarrë asnjë veprim me qëllim të hetimit të rastit të ndodhur në këtë Qendër Korrektuese, respektivisht nuk ka themeluar komision hetimor për hetimin e këtij rasti.
Në raportin e hetimit, konstatohet se z . Beqa nuk e kishte parë të arsyeshme të emëroj një komision hetimor lidhur me këtë rast, me arsyetimin se pas ngjarjes së ngacmimit seksual, kishte komunikuar përmes telefonit me Drejtorin e QKF – së, z. Loku, ku ky i fundit kishte deklaruar se janë marrë vesh me nënën e të miturës që të tërhiqen nga rasti dhe për të njëjtën procesi i hetimit të mos vazhdoj më tutje. Me këtë rast z . Beqa, sipas raportit të hetimit nuk kishte mbajtur asnjë shënim zyrtar. Në raportin e hetimit, konstatohet se e mitura S.H, në prezencë të zyrtares sociale ka deklaruar se gjatë orës së informatikës, mësimdhënësi i informatikës I.B e ka ngacmuar seksualisht duke e pyetur fillimisht se “meqë lirohesh këto ditë a ka mundësi të pijmë kafe së bashku në Prizren ” dhe me pastaj e ka pyetur ” a po bëhesh nusja ime ” . E gjithë kjo, sipas raportit hetimor ka ndodhur gjatë procesit mësimor në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan dhe për këtë kanë qenë të njoftuar Drejtori i QKF – së në Lipjan z.Loku dhe Drejtori i QKM – së në Lipjan z. Beqa. Lidhur me këtë rast z . Beqa, edhe pse ishte i njoftuar me rastin, nuk e ka njoftuar, Drejtorinë Komunale për Arsim në Lipjan, pasi që personi i supozuar për ngacmim seksual ka qenë punëtor i arsimit DKA – në Lipjan . Po ashtu, z.Beqa nuk e ka njoftuar as Drejtorin për Trajtimin e të Miturve në kuadër të Drejtorisë Qendrore të SHKK – së lidhur me rastin. Për më tepër, i tërë komunikimi i zyrtarëve përgjegjës, përkatësisht udhëheqësve të institucioneve korrektuese lidhur me këtë rast është zhvilluar pa protokoll përkatës dhe përmes formës jozyrtare”
Heset Loku më herët ka qenë Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ndërsa së fundi ishte transferuar në Prizren. Ndryshe Loku ka qenë nënkryetar i Komunës së Kaçanikut në kohën kur këtë komunë e drejtonte Xhabir Zharku. Kurse Arif Beqa më herët ka qenë drejtor në Qendrën e paraburgimit në Lipjan, ndërsa së fundi ishte transferuar në Pejë.