Ishulli Itakë…
Ne vargjet e mia ti rri fshehur,
Brenda çdo germe qëndron ti,
Aty çdo burrë do t’kishte pyetur:
Mos jam unë në kët’ poezi?
Si një sekret i koduar,
Ti bën çdo grua që të dojë,
Si Paridi nuk je i bekuar,
Por si Uliksi mendjehollë.
Të puth e etur varg pas vargu
Edhe pse kët’ kurrë s’e beson,
Si me Uliksin, udhëtoj pandalur
Dhe mposht vetë Perëndinë Poseidon.
Me ty kërkojmë t’arrijmë një Ishull,
Që quhet Itakë a Dashuri,
Me krahët e tu Uliks, mbështjellur
Unë vetë jam Ishulli që kërkon ti.
Kufij nuk ka …
Më vjen ëndrrës dhe befas më ik,
Tani kujtoj çdo gjë që ndodh,
Kur ti mes ëndrrës vërtetë më pik,
Kufij në botë nuk ekzistojnë.
Ardhjen tënde kokëfortë e pres,
Në ëndërr-zhgjëndërr, kudo të jesh,
Të gjitha hapat pas meje ti ndjesh,
Janë hapat tua kur më ndjek.
Unë ëndërr-zhgjëndrrës si t’i besoj?
N’kraharor zemra i bën ballë stuhisë,
Kam frikë: -më do a nuk më do?
O magjistar i dashurisë!
Dritaren time me avuj mbulon,
Që me gishtërinj të bëj një zemër,
Nuk di se si, po nga ëndrra më zgjon,
E as në ënderr s’mund të dua tjetër.
………………………………………………………………..
ENDERR…
Ti flet shkujdesur, pak metra,larg,
Sytë i mbërthen veç në një pikë,
Mbi sup të majtë më djeg një hark;
Prej një kujtimi që zgjohet në pritë!
Më vjen ndërmend Islanda e ftohtë,
Gejzerët e ngrohtë nën lekurë të Tokës,
Ftohtësia jote e shtirë veç sa më shton
Zjarrin e fshehur të vullkanit përvëlonjës.
Nuk di pse sytë m’u mbyllën në çast,
Imagjinata ime nuk ka më fre,
Behem gotë vere që dèrdhet me kast,
Dhe zjarri ndër deje papritur më deh.
Këmisha jote rrëshqet përmbi krahë,
Ashtu siç rrëshqisja tek ti, si flutura
Si magmë vullkani që djeg, si llavë
Je bërë për mua, t’i njoh të puthurat.
Tingëllin një gotë nga ëndrra më zgjon,
Ajri papritur ngrin akull kristali,
Islandën mallkoj se kaq shumë i ngjan,
Je ujë i ngrirë në një botë prej zjarri.
…………………………………………………………………..
NDARJA
Në qiell yjet janë shuar,
Që kur se ne të dy jem’ ndarë,
Ditët dhe netët bëhen varg,
Kujtimin tënd për ta mbajtë gjallë.
Mbi një gotë vere të mallkova,
Si me shaka, si me gjithmend,
Kush nuk e di, se dashuria
Është edhe mjalt, por edhe helm?
S’e fsheh, për ty mendoj çdo çast,
Kur yll i agimit bie mbi tokë,
Dhe pëshpëritje flokësh prej ere
Zëri yt më sjell në kokë.
Herë me shpirt them se të dua,
Dhe herë të tjera them të urrej,
Ngjitur me qafën buzët e tua,
Një zjarr më ndez në trup, në dej.
Nëse gjithë ndarjet janë kësisoj,
Kur malli mbi vuajtjet mbetet i gjallë,
Te pruftë Lumi ty përmbi mua,
Për ditët dhe netët që zbardhemi ndarë.
…………………………………………………..