Wednesday, September 28, 2022
BallinaLajmeMinistria e Arsimit: Nuk ka vend për greva e aq më pak...

Ministria e Arsimit: Nuk ka vend për greva e aq më pak për shantazhe e për kërcënime

Nxënësit kosovarë këtë vit do t’i nënshtrohen testit ndërkombëtar PISA, e në të cilin testim ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pret rezultate të mira. Përkundër se pranon që pandemia ka ndikuar në cilësinë në arsim, Nagavci shprehet që nuk e ka menduar tërheqjen nga ky testim ndërkombëtar që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.


Ministrja Nagavci, në një intervistë për KosovaPress, flet edhe për gjendjen e arsimit në Kosovë, projektet që do të realizojnë, abetaren e përbashkët me Shqipërinë dhe për protestat e paralajmëruara nga ana e SBASHK-ut për të cilat thotë se s’ka arsye të mbahen pasi puna është duke vazhduar për Ligjin për paga.

Kosova do të përfshihet për herë të tretë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, i njohur shkurt si PISA. Në vitin 2015 dhe 2018 rezultat ishin të dobëta, me Kosovën që u rendit në fund të listës.

Nagavci thotë se si ministri po ndërmarrin të gjitha veprimet që janë në përgjegjësinë e tyre që të bëjnë një organizim të mirë të këtij testimi.

“Pandemia ka thelluar vështirësitë e fëmijëve gjithandej në botë në arritjen e rezultateve, sigurisht edhe në Kosovë. Në anën tjetër, në Kosovë përtej problemeve të shumta ka pasur edhe vështirësi në implementimin e mësimit në distancë për arsye prej më të ndryshmeve. […] Po shpresoj që puna që bëhet në shkolla dhe ngritja e vetëdijes pak edhe e mësimdhënësve pas diskutimeve të fundme që kanë ndodhur nga rezultatet e testit të fundit të PISA, ku nxënësit tanë kanë marrë pjesë dhe ku më të drejtë kanë pasur një diskutim të përgjithshëm të prindërve, të shoqërisë edhe një adresim të vëmendjes për nevojën e përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie dhe në mësimnxënie. Shpresoj që të kemi rezultate më të mira sado që situata me pandeminë i ka vështirësuar punën në drejtim të përmirësimit të cilësisë në arsim”, thotë ajo.

Pas dy viteve të mësimit me skenarë të ndryshëm, gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2021/2022 u realizua në skenarin A, ose me prezencë fizike në shkolla me orë mësimore të plota që kanë zgjatur 45 minuta.

Mirëpo, ditëve të fundit, Kosova është përballur me rritje të numrit të rasteve me COVID, pas paraqitjes së variantit Omicron dhe në rast se përkeqësohet situata me pandeminë, rrezikohet që nxënësit t’i rikthehen mësimit online.

Në lidhje me këtë çështje, Nagavci thotë se do të presin rekomandimet e institucioneve shëndetësore për të marrë ndonjë vendim që do të ndikonte në procesin mësimor.

“Përtej shëndetit edhe rëndësisë së ruajtjes së shëndetit natyrisht që uroj dhe po punojmë që të kemi rezultate edhe në procesin e mësimit që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike. Por, natyrisht sikurse edhe në të kaluarën çdo vendim që e marrim do të jetë në koordinim të plotë me IKSHPK, me ekspertët shëndetësorë dhe vendimmarrja do të bëhet sipas rekomandimeve duke përcjellë situatën epidemiologjike, po edhe në konsultim të ngushtë edhe me Drejtoritë e Arsimit dhe me shkollat në përgjithësi. Pra, uroj që të kemi një situatë të mirë sa i përket shëndetit të përgjithshëm publik e kjo pastaj do të na lejojë një komoditet në lidhje me zhvillimin e mësimit me pjesëmarrje fizike”, deklaron ajo.

Nagavci thotë se janë duke punuar në disa drejtime për të përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë, ku përmend investimet në infrastrukturën ligjore.

Në këtë kontekst, ajo thotë se kanë finalizuar Ligjin për Agjencinë Kosovare të Akreditimit që i hap rrugë rikthimit të Kosovës në ENQA e në EQAR.

“Kemi finalizuar Ligjin për Agjencinë Kosovare të Akreditimit e cila ka qenë edhe prioritet në programin tonë qeverisës, gjë që na mundëson një funksionalizim të plotë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit edhe me legjislacionin adekuat pas zgjedhjes edhe të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Si një institucion i rëndësishëm për të punuar në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë në përgjithësi do të ndikojë natyrisht edhe në përmirësimin e cilësisë në arsim në përgjithësi”, shprehet ajo.

Një nga vendimet që Qeveria ka ndërmarrë gjatë vitit të kaluar është arsimi i lartë publik pa pagesë, për të cilin Nagavci thotë se është një premtim i kamotshëm që e kanë realizuar.

“Arsimi i lartë pa pagesë ofron një mundësi të barabartë për të gjithë të rinjtë tanë dhe unë mendoj se kjo vetëm sa do të krijojë një lehtësi dhe mundësi të barabartë për të gjithë studentët, por jo edhe dëmtim në cilësi”, thotë ministrja e Arsimit.

Vitin e kaluar, Ministria e Arsimit e Kosovës dhe Ministria e Arsimit të Shqipërisë, kanë nënshkruar marrëveshje për implementimin e abetares së përbashkët. Nagavci thotë se është optimiste që, përveçse do të finalizohet do të jetë edhe një abetare cilësore.

“Pres që në shtator të gjithë vogëlushët shqiptarë pa marrë parasysh se ku e fillojnë klasën e parë në Elbasan a Gjakovë, në Prishtinë apo Tiranë, po edhe ata që jetojnë e mësojnë jashtë Kosovës e Shqipërisë, pra për fëmijët e mërgimtarëve tanë do të kemi të njëjtën abetare të përbashkët për të gjithë fëmijët. Besoj që kjo është një dhuratë e bukur për vogëlushët tanë në 110 vjetorin e pavarësisë. […] Uroj që jo vetëm të kemi një tekst unik për të gjithë vogëlushët tanë, por të kemi një abetare e cila i adreson edhe nevojat e ditëve të sotme, sepse kanë kaluar 10 vite nga abetarja e fundit që e kemi pasur në Republikën e Kosovës, ka pasur ndryshime të shumta, situata me pandeminë dhe gjithë zhvillimet gjatë gjithë këtyre kohëve e paraqesin domosdoshmërinë e një abetare të re. Unë pres që jo vetëm të kemi një abetare të përbashkët unike, por të kemi një abetare cilësore për fëmijët tanë”, thotë ajo.

Nagavci për KosovaPress thotë se në fokus e kanë gjithëpërfshirjen dhe edukimin e hershëm ku potencon se për këtë vit janë ndarë pesë milionë euro për ndërtimin e çerdheve. Po ashtu, ajo thekson që si ministri për këtë vit kanë buxhetuar punësimin e 100 mësimdhënësve për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, flet edhe për paralajmërimet e SBASHK-ut për mbajtjen e grevave nëse nuk miratohet Ligji i pagave.

“Është e qëndrueshme dhe e drejtë kërkesa që përfundimisht në Republikën e Kosovës të kemi një Ligj të pagave i cili i rregullon dhe i adreson pabarazitë që ekzistojnë në mes të kategorive të ndryshme që punojnë në sektorin e publik. Por, nuk ka vend për greva e aq më pak për shantazhe e për kërcënime, sepse tashmë është duke u punuar në këtë projektligj dhe besoj që në pranverë do të kemi draftin e parë të projektligjit”, shprehet Nagavci.

Nagavci theksoi nevojën që ky ligj të ofrojë barazi ku për punë të njëjtë ofrohet pagë e njëjtë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT