POEMË VJESHTE
Dalë ngadalë
në pemë vjeshte
po shndrrohemi, e dashur.
Mbështillemi
me flamurin
e purpurt të perëndimit,
dëgjojmë
këngët e vona të zogjve,
teksa ndër foletë
i ngroh dielli i vakët
dhe heshtim.
Një heshtje e thellë, e dashur,
një heshtje e thellë stepe
na përmbyt!
Horizontit
lejlekët lënë pas
kujtimin e bardhë.
Asgjë s’mund të bëjmë për ta,
veç t’i urojmë me zemër:
U qoftë udha e mbarë
e i mbarë kthimi!
* * *
Po bie muzgu,
i ftohtë gjithandej.
Skicon përhimtë
hijet e maleve,
shtëpive,
rrugëve …
Hijet e njerëzve skicon
në trajta amebe
që lundrojnë në ajër;
detin dhe qiellin
me konture të humbura,
Të zymta.
I zymtë muzgu, zemër,
i zymtë!
Shpirt i vrarë dëshpërimisht.
Por vjen mëngjesi
dhe hapen sytë e tu
të lodhur nga nata.
Sytë e tu – një botë
dashurish e sakrificash
që dhembjet i mbytën
në puset e vet.
Përpara atyre diejve rri
dhe drita më bën të pastër,
të tejdukshëm më bën – qelq,
të brishtë e të dhembshur, gjithashtu..
Andaj më dhimbsen
valëzat e rrudhave mbi ballin det;
më trishtojnë thinjat që edhe më shpesh
harron t’i bojatisësh,
prej thëllimesh që kurrë nuk m’i the…
Të gjitha brengat
më mirë sesa një thesar
thellë atyre syve të paqtë
i ke rroposur.
Andaj
të marr ndër krahë
dhe bota bie në paqe!
* * *
Është vjeshtë, e dashur.
Nën këtë qiell të përmallshëm
pemët mërmërijnë këngë dëshpërimi…
Këputen frutat
me kërcitje të mbryllët,
zogjtë shkojnë ku ka zefir,
por njerëzit ikin joshur pas një ëndrre…
Ç’gjumë na i përkund të ardhmen?
Ç’ishull na pret të zbarkojmë
me varkat plot zëra e poterë?
Në bregun pas shpine
jehona e një kënge të moçme
s’pushon!
Dhe vështrime të mpirë
si vegime faresh të vjetër
përgjojnë përmbi shkëmbinj
limanet që pritja do t’i brejë.
Flenë dhe zgjohen
me shpresën e një lajmi të mirë
që, sidoqoftë,
ua kërrusin shpinën.
Lajme gazmorë plot pikëllim:
Dolën llotaritë amerikane!
Ata të gjermanisë u rregulluan!
Grekët na lanë të vinim edhe sivjet,
paçka se kohë kovidi.
Paçin fat, paçin fat!
Mbarësia i ndjektë pas!
Këtu
në ishullin e braktisur
pleqtë gjerbin
bashkë me kafenë
rrezet e fundit
ndërsa fëmijët
përmbi kështjella rëre
buzë detit
ngulin shtiza pa flamuj.
* * *
Po deti si deti, e dashur!
I paanë dhe sublim,
më zgjoi, fëmijë, ndjenjën
e botës së pafundme.
Vështroja anijet
që prisnin në mol
dhe pyesja:
ku është fundi i botës?
Pa e ditur se isha aty
ku ajo mbaronte.
Përmbi kaltërinë
mprihja shikimin
si një kojotë për shtegun e ri,
që nuk e gjeta kurrë.
Drita në fund të tunelit
na lëbyri sytë dikur,
por shpirt dha sakaq.
Dhe e kuptuam
se nuk ishim në terr
prej natës,
por prej dritës
që na kishte munguar.
* * *
Erdhi, pra, kjo vjeshtë, e dashur!
Kaq butë, kaq tinëzisht!
Tani ndër krahë e mbajmë
si një fëmijë
duke u përkundur
me njeri – tjetrin.
Dhe ja behin shirrat.
Shirra të turbullt.
Baltosin e spërkatin
gjithë ç’gjejnë poshtë,
aty ku duket se Zoti
ande s’ka vënë një dorë,
s’ka hedhur një sy,
s’i ka fryrë ende kaosit
për të vënë rregullin.
Ndaj gjithçka
është në lëvizje përherë,
pa zënë vendi vend
dhe pa i dhënë kurrë
dita ditës dorën.
* * *
Kjo vjeshtë, si çdo vit,
me kripën e detit
mbi gurët e bregut
dhe pjergullat dalë bojë
me stërmundim asketi
do të na japë
verën e shenjtë për tryezat tona.
Si ta kuptojmë jetën pa të?!
Lëkundemi të dehur
mes fatit dhe mëkatit
si një pendul tunxhi
brenda një kambane,
me goditje dëshpëruese
majtas e djathtas,
por jehonat
po njësoj ushtojnë.
Kurrë nuk u gjend një kurban
për paqen që presim!
Mendimet buisin
si barërat nëpër djerrina.
A do ta ngopin ujërat
tokën e thatë?
Zemrën e shkrumbtë
a do ta shuajnë?
Eureka, o njerëz, Eureka!
Dimri, si pëllumb i bardhë le të vijë!
Harruat sa dimra kemi lënë pas?!
Harruat sa herë kemi ngrirë e
sa herë, si në një gotë rakie,
borërat kemi pirë?
Eureka, o njerëz, Eureka!
Dëgjoni këtë erë të thëllimtë
që fryn në xham
si fryma e një të vdekuri.
dhe lutuni!
* * *
Është natë e ftohtë,
E lagësht.
Natë kujtimesh;
shtëpitë mbushen me shpirtra.
Me mallin mbi tryezë bisedojnë.
Pengjet i varin në mur
si rroba të tepërta
prej udhëtimit të gjatë;
falje këmbejnë
në vend të qerasjeve
dhe, pastaj,
me një plug mall të ri
që sapo nis t’u çajë gjoksin
kurdisin orët sërish
dhe rendin rrugëve plot natë…
Ikin,
por hijet lënë gjithandej
ngaqë Ora e Ardhme
nuk harron të vijë;
e nesërmja shpejt bëhet e sotme.
Ndaj çelësat e portave
i mbajnë varur në qafë.
Sepse
stinë më stinë
venë e vijnë
retë qiellit;
venë e vijnë
edhe mallet,
edhe dashuritë.
Papushim!
* * *
Prej kafenesë
buzë trotuarit
shoh se si
galop i vjeshtës
gjëmon si tambur
sheshit të zbrazët.
Stolave pa pleq
u hepohen dërrasat
nga pesha e mungesës
ndërsa era
u vërvit përreth
të mjerat gjethurina.
Nga Medreseja muezini
mbush boshin e pikëllimtë
me zërin e kthjellët
si fëmija një tullumbace
për ta lëshuar
hareshëm drej qiellit.
* * *
Kohë shirrash, e dashur!
Përrenjtë zgjerojnë shtratin
si gra shtatëzëna
e rrjedhin teposhtë më hijerëndë.
Pemët lehona bëhen
pas barrës së vjeshtës,
ndërsa njerëzit
përtypin dhe ripërtypin
frytin e jetës
cilado qoftë shija e saj
ngaqë si dopio gjashtë
u ka mbetur ndër duar.
Dimrat janë mysafirë të hershëm
po aq sa flijimi i gjetheve
dhe çelja e luleve në prill,
e njerëzit shpresojnë
se një ditë,
ndonjë trëndafil
do t’u mbijë sërish në zemër.
* * *
Është vjeshtë e dashur.
Një shall mëndafshi ke qarkuar
ndërsa hëna të ka ngecur ndër flokë.
Në sytë e tu
dy kapronj kërkojnë udhë.
Lëri të vijnë tek unë!
Te kjo savanë bujare
kurrë nuk do të tremben!
Gjithçka e ka një prehje,
e ka një vend ku qetohet,
ashtu si dashuria jote
në zemrën time.
Lëri të vijnë tek unë!