Monday, December 9, 2024
BallinaLajmeKosova drejt një vale të re të COVID-19, rreth 1 mijë e...

Kosova drejt një vale të re të COVID-19, rreth 1 mijë e 200 raste të reja për 9 ditë

1 mijë e 193 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar nga 1 janari deri më sot në Kosovë. Vetëm sot, vendi regjistroi 304 raste të reja të infektuara me këtë virus, që është edhe numri më i lartë që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Derisa një valë e re ka filluar në shumë shtete tjera, e varianti Omicron është përhapur edhe në Kosovë, infektologët kanë paralajmëruar se një valë e re e virusit mund ta përfshijë edhe vendin.


Pas regjistrimit të 9 rasteve të para me variantin Omicron në Kosovë, ka filluar të rritet numri i rasteve të reja me COVID-19. Kosova gjatë këtyre 9 ditëve, disa herë ka thyer rekordet për numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus që nga muaji shtator i këtij viti.

Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar Kosova regjistroi një numër më të ulët të rasteve të reja, disa herë edhe më pak se 10 brenda 24 orëve të fundit.

Sot Kosova ka 1 mijë e 552 raste aktive me këtë virus, nga 453 sa kishte më 31 dhjetor të vitit të kaluar.

Me identifikimin e variantit Omicron në vend, infektologët kanë paralajmëruar rritje të numrit të të infektuarve me këtë virus, derisa kanë thënë se as Kosova nuk është imune ndaj një vale të re të këtij virusi.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë për Express se edhe ardhja e diasporës ka ndikuar që të ndarkohet gjendja me pandeminë.

Ndërsa, ai është shprehur se për ta pasur nën menaxhim këtë gjendje, qytetarët duhet të respektojnë masat Anti-COVID e të vaksinohen me dozën përforcuese të vaksinës, pasi që sipas tij, dy dozat e para janë treguar më pak efektive.

“Bazuar në njohuritë që kemi pasur edhe për Delta COVID-19 edhe Omicroni duhet të luftohet në këto drejtime, por që mundësia e një përhapjes më të shpejtë, te Omicroni është e mundshme, pasi këtë e kanë dokumentuar edhe shumë vende. Omicron ka paraqitur shqetësime në nivel botërorë. Është vërtetuar që dozat e vaksinës nuk kanë dhënë mbrojte, në këtë kuptim është miratuar doza e tretë edhe nga OBSH pikërisht për ta luftuar Omicronin COVID-19”, ka shtuar ai.

Ndërsa, edhe drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë ditë më parë se pret që të rritet edhe më shumë numri i personave të infektuar me variantin Omicron të COVID-19.

Andaj ai ka bërë thirrje po ashtu që qytetarët të vaksinohen me dozën përforcuese të vaksinës.

“Ne presim që të rriten edhe më tutje rastet me variantin Omicron, prandaj kanë qenë këto thirrjet tona të vazhdueshme për këta tre muaj sa i kishim të qetë, nga tetori, nëntori, dhjetori që ta shfrytëzojmë këtë moment të mirë dhe të vaksinohemi në numër më të madh”, ka deklaruar ai për T7.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT