Thursday, March 28, 2024
BallinaVitrina e libritPetro Marko për dashurinë dhe humanizmin

Petro Marko për dashurinë dhe humanizmin

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare, Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha, me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhieNuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të mirëfillta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa jetoi ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.Ai ka një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqiptare. Deri në vitin 1936 punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23-vjeçare, u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internacionale.Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940, do të burgoset nga italianët, që asokohe e kishin pushtuar Shqipërinë dhe do të përfundojë në kampin e ishullit të Ustikës, në afërsi të Palermos. Në përfundim të luftës në vitin 1944, Petro Marko do të marrë pjesë në radhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake.Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë, por shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri, më se 10 vjet rresht. Kjo, për të vetmin shkak, se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës e sidomos, kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi.Në kulturën dhe letërsinë kombëtare, Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha, me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që e kanë njohur nga afër, e kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti të tilla përmasave, mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai e përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë, ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron, në romanet “Hasta la vista”(1958) dhe “Qyteti i fundit”(1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme.Në vitet ’70-të, ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës, do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”(1989). Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko, me dy romanet e tij të parë: “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60-të është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakimin e një përvoje krijuese, por përkundrazi për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jo natyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore dhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. Të gjitha veprat e Petro Markos, u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos, reflektojnë triumfin e dashurisë dhe humanizmit. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Burimi Hejza

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT