AI ÇAST MËRZIE QË S‘MBAROI KURRË
…………………………………………………….
Varreza ishte e ftohtë atë ditë
Ai çast mërzie që s‘mbaroi kurrë,
Për herë të parë aty je shtrirë
Dhe veç një natë ti ke bërë gjumë.
Në atë natë terri tepër të gjatë
Edhe pëllumbat i kaploi stresi,
Sepse ti ishe nga ato nëna
Që zgjohen herët në ag mëngjesi.
Aty veç trupi prehej në paqe
Si lëndë e ngurtë gjente qetësi,
Dhe SHPIRTI YT i bardhë si drita
U ngrit lart qiellit me urtësi.
Po asaj rruge edhe ne vijmë
Nuk e di kur, veç do mbërrijmë,
Dhe sigurisht, ka ndonjë vend
Nën hije peme së bashku rrimë.
Ndoshta e gjejmë një sofër druri
Rendim rreth saj me gotë në dorë,
Flasim e qeshim, muzikë dëgjojmë
Derisa gjumi heshtur na kotë.
Me tinguj kënge e shkëlqim yjesh
Vendi ku flejmë nuk mbetet bosh,
Ndërkohë në ëndërr i thuri vargje
Nipit të vogël sykaltërosh.
Thonë kohë e gjumit është arkiv
Ruan, sistemon mijëra kujtime,
Dhe në atë fond vendin e artë
E ruaj për TY O NËNA IME.