Thursday, April 18, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poetin Remzi Limani

Cikël poetik me poetin Remzi Limani

14 JANAR

sot
njejtë
krejtësisht njejtë
sikurse në ikjen tënde
kur lulebora hoqi vellon prej dëbore
Ti rrinje nuse e paluar këmbë e duar
krejtësisht njejtë si sot në sytë tanë
herët derdhe lotin faqeve të shkrira
loti blu ende i vakët në ty mori udhë
agmisë së vajshme në sy fëmijësh
herët zgjimit të zogjve
lutjet ngjitën qiellin
njejtë
sot

NËNFAQEVE TË LAKURIQËSISË

Është ftohtë dhe kam nevojë për ngrohtësinë tënde të buzëqeshur.

Ku mund ta gjej kur ma ktheve botën përmbys si një tavë boshe, lëpirë nga qentë e natës së uritur.

Tani, edhe të çarat e tokës janë ngri.

Janë ngri dhe mollëzat e gishtave,
nuk mund t’i vë duart nënvitheve tua.

Asgjë të më ngrohë nën ulurimat e nëndheut, ku shprushen stuhitë tua.

Ndaj, desha t’i gjej xhepat e ngrohtë nënfaqeve të lakuriqësisë tënde

EH, PO T’ISHTE, EVA

Kur nata e vdekur thërret tingujt e mbytur,
asgjë nuk dëgjohet,
përveç një dhimbje e shurdhër
që përbirohet përtej ashtit të shpuar dhe rrudhet në një pikë të vetme trishtimi.

Këto janë netët abortare,
fillimi dhe fundi i një dashurie
ngjizur jashtë mitrës së Evës.

Eh, po t’ishte, Eva, por ja se nuk ishte.
Ishte vetëm një çorapë gruaje, Evë e menduar.

Kështu ndodh kur puthesh qorrazi
dhe ha errësirën në sytë e përdalë,
në sytë e atyre që nuk ndjejnë as dhimbje as dhembje,
sepse, ato ushqehen nga gjëmat e natës.
janë krimba unazorë, që thithin gjakun e njeriut.

BUSULLA

Ndaloni dhe shikoni ku jeni nisur?
Duket se keni humbur busullën e zemrës,
jeni katandisur në një panoramë të trishtë, e shqyer gjithandej nga
dredhat e erërave që i ngasin hamshorët.

Tani,
të gjitha tymnajat fryjnë drejt teje,
erërat e kohës nxjerrin bishtin dhe
fshikullojnë me rrufenë e kamxhikut.

Ndaloni dhe shikoni ku jeni nisur?
Duket se keni humbur busullën e zemrës.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT