Wednesday, September 28, 2022
BallinaLajmeBashkë me rritjen e rasteve rritet edhe interesimi për vaksinim

Bashkë me rritjen e rasteve rritet edhe interesimi për vaksinim

Me rritjen e rasteve të COVID-19, qytetarë të shumtë janë drejtuar qendrave të vaksinimit për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese anti-covid, madje ata apelojnë që edhe tjerët të vaksinohen.


Mëngjesin e së dielës ekipi i KosovaPress qëndroi në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, ku shihen një interesim i konsiderueshëm i qytetarëve për vaksinim.

Murteza Zautaj tregon për KosovaPress se është vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës.

Po ashtu, ai shton se më përhapjen e valës së tretë të versionit Omicron, vaksinat nuk janë edhe shumë efektive, mirëpo siç thotë ai është një lloj lehtësimi nëse infektohesh.

“Kjo është doza e tretë e vaksinës. Tash është një problem rreth vaksinës, edhe këto teoritë konspirative, kjo vala e fundit e infektimeve i ka bërë qytetarët që në një far forme ta humbin besimin te efekti i vaksinës. Megjithatë për çdo eventualitet, për çdo mbrojtje duhet ta marrin edhe vaksinën e tretë. Tash vala e tretë e fundit në Evropë që është e ashpër ka treguar se vaksinat nuk janë tepër efektive në mbrojtjen e njerëzve, mirëpo megjithatë ofrohet një lloj lehtësimi nëse eventualisht infektohesh”, ka thënë ai për KosovaPress.

Edhe qytetari Shyqri Dumani potencon se është vaksinuar me tri dozat e vaksinës, derisa apelon tek qytetarët për vaksinim.

“Po jam vaksinuar me të tri dozat. Gjithsesi apeli im është personal dhe apeloj tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të tjerët që t’i marrin vaksinat dhe të vaksinohen në mënyrë që ta fitojmë luftën me këtë virus i cili e ka përfshirë tërë globin tokësorë. Kjo për momentin vaksinat janë opsioni i vetëm që na është ofruar nga ekspertët e mjekësisë, kështu që duhet që të gjithë qytetarët në bazë të preferncave të mjekut të vaksinohen në mënyrë që ta tejkalojmë këtë luftë”, ka shtuar ai.

Edhe Fiqrie Stublla-Muqolli, tha se tashmë është vaksinuar me tri doza të vaksinës.

“Po jam vaksinuar me dy doza përpara, kjo është doza përforcuese e treta me rradhe. Jo me gjithë dëshirë e kam për shëndetin tim edhe mendoj mirë jo vetëm për vete por edhe për të gjithë që duhet të vaksinohen. Jo të gjithëve u kisha propozu të vaksinohen sepse kjo është për të mirën e shëndetit tonë. Prandaj ju lutem të vaksinohet çdo kush sepse është për të mirën tonë”, ka përfunduar Stublla-Muqolli.

Përndryshe, dje është njoftuar se që nga fillimi i vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.713.150 doza të vaksinës.

Deri më sot 795.476 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë dhe deri dje janë dhënë 30.281 doza përforëcuese dhe 2.162 doza të treta të vaksines kundër COVID-19.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT