Friday, March 29, 2024
BallinaKulturëArtTish Daija Gjeniu i kompozimit

Tish Daija Gjeniu i kompozimit

KOMPOZITORI SHQIPTAR I VLERAVE TË RRALLA

Skena e këngës dhe teatrit, krahas kontributit të gjerë në muzikë, do ta njihte për baletin e parë “Halili dhe Hajria”, apo këngën refren dashurie, si: “Me lule të bukura, due me t’dhurue vashë, një kurorë…”. Spektri i nuancave të muzikës së mirëfilltë shqiptare, do të ishte i zbehtë pa shkëlqimin e notave autentike të kompozitorit Tish Daija.Daija u lind më 30 janar 1926 në Shkodër, në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut, merr mësimet e para muzikore, bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kacajn, Simon Gjonin. Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane”, që drejtohej nga Prenk Jakova.Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike.Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin, krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). Autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit” etj. Ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003. burimi Hejzat

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT