Monday, May 13, 2024
BallinaVitrina e libritCikel poetik me vargjet e poetes Manushaqe Hoxha Laçi 

Cikel poetik me vargjet e poetes Manushaqe Hoxha Laçi 

QERSHIZA IME
Degëz me qershi mbushur
Gushë e faqe të bardha, borë,
Marr e jap për të t’këputur
Po vij t’kërkoj tënden dorë.


Qershizë e kuqe, e pjekur
Sa ta dua moj ëmbëlsinë,
Do ringjallesha dhe i vdekur
Për të shijuar dashurinë.


Mbi mal, kodër, fushë, breg
Kur zbret rrezja me ngadalë,
Qershiz’ e bukur diellin djeg
Me kaçurrelat tua valë-valë.


Sapo hëna pesëmbëdhjetë
Hedh ndriçimin mbi mantel,
Lozonjare me vrap të lehtë
Si sorkadhe, ti qershizë del.


Kur ta prek t’bukurën gushë
Me aromë dehëse trëndafili,
Buz’ e faqe të ndizen prush
Degë më degë këndon bilbili.


Me shigjetën e syrit t’shkruar
Gjitha dëshirat seç m’i ndez,
Qershizë nga perëndia bekuar
Ujitur me të mëngjesit vesë.

PENA E SHPIRTIT
Kur shkruaj me penën e lotit të ngjyer në trishtim,
Brengën se përballon natyra, zhytet në pikëllim!


Kur me nuancat e dashurisë ngjyros oqeane, tokë e qiell,
Nata vallëzon me hënën dhe dita stoliset në diell!


Kur ndjenjën e dhimbjes së mallit e hedh mbi shkëmb,
Goditja është aq e fortë, sa shkëmbi thërrmohet në vënd!


Kur shkruaj me penën e ngjyer në shpirtin njerëzor,
Universi i buzëqesh jetës dhe stinët i thurin kurorë!

DËSHIRË ZEMRE
Në qendrën e mendimeve, tua,
Të mbjell qelizë të shpirtit tim, dua!
Të t’përqafoj, sa herë të kem mall,
Të t’ndjej afër, të ndihem gjallë!


Netëve të trazuara, të t’sjell qetësi,
Në acar të dimrit, të t’jap ngrohtësi!
Në kohë stuhie, të ecim shtrënguar,
Me zemra-zemrën, të përqafuar!


Në qiellin e syrit, të t’sjell diellin,
Buzës së shkrumbuar, t’i jap detin!
Ndër qerpikë, të t’zbres gazin,
Prezenca ime, të t’sjell beharin!

DHIMBJE
Me kujtim të vrarë, grimuar fytyrën,
Dhe qiellin e shpirtit, me gri të veshur!
Natyra e vrenjtur, me lot kishte syrin,
Me çdo pikë shiu, linte plagë në zemër!


Buz’qeshjen e bukur, me re mbuluar,
Ç’ishte ajo ferrë, që hapin ta ndali?!
Fajëson veten, nga dhimbja munduar,
Të enjtur e skuqur, syrit, nata lot i fali!

Femër
Nuk jam gjethe e tharë që mund ta rrëzojë vjeshta
As lule që mund ta këputësh e ta lësh të vyshket.
Jam si lisi i fuqishëm me rrënjë shumë të thella
Flori me vlerë jam, me shkëlqim që nuk ndryshket!


E dua diellin por dhe një rreze e artë më mjafton
Gëzoj për një pikë shiu që vjen në petalen e etur.
Nuk i dorëzohem brengës dhe kur trishtimi më mundon
Me sy të përlotur qesh dhe pas natës së zymtë e të pafjetur!


Si një dragua vazhdoj të luftoj me indiferencën e kohës
Nuk më mposhtin erërat, dallgët, tufanet e stuhitë.
Jam mbretëreshë e jetës dhe thesar me vlerë i botës
Dinjitetin dot s’ma ulni pse s’pranoj padrejtësitë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT