Saturday, July 27, 2024
BallinaVitrina e libritTimo Flloko-SHKALLË PËR QIELL

Timo Flloko-SHKALLË PËR QIELL

SHKALLË PËR QIELL

Ngrita sytë, qiellin pashë,
Ku është skaji i tij, thashë.
A i soset fundi vallë?
Ndoshta duhen shpikur shkallë.
Të padukshme, pa dyshim,
Shkallë që zgjaten pambarim,
Që takojnë fund e fillim,
Prej këtej në askund,
Gjithësisë pa anë e fund.

Fantazova të shkoj larg,
Botën poshtë ta shoh nga lart,
Gjithë ç’pata pas ta lë,
Historitë një nga një,
Dashuritë pa shpirt në të,
Miq, të afërt që s’janë më,
Mitet, ëndrrat dhe çdo gjë.

Sa ngjita shkallën e parë,
Ndjeva frikë, të jem i marrë?
N’atë udhë katrahurë,
Humb përjetë, s’kthehesh kurrë.
Nëse ndodh atje të mbes,
Zbrazëtisë, në univers,
Fillikat e i pashpresë,
Kush kujtohet të më presë?
Nëna la një det me lot,
Iku herët nga kjo botë.
(Kthehem s’kthehem, çfarë pastaj,
Fatin tim mbi shpinë e mbaj)

U enda vite të tërë,
Jeta – një kështjellë në rërë.
Në çdo skaj me stërmund,
Fundin prekja por s’kish fund,
Ishte fund sa ish fillim,
Hapësirës pa mbarim.

(S’ka fillim as fund ky bosh,
Nis e sos ku ta mendosh.)

*
Rrugëtova aq kohë qiellit,
Mend sa preka yjet, diellin.
Rënie ngjitje na shkon jeta,
Që nga lindja gjer te vdekja.

*
Mbërrin koha që të zbres,
Yjet fikur një mëngjes…

Këmbën ula kur, për djall,
Mend u vara, s’kishte shkallë (!)
Udha çonte veç për lart
(Kurth qiellor, thirra në çart).
Pas në tokë kthim s’kish më,
Shkallët shpinin në mosgjë,
Me shigjetën Udhë pa Kthim,
Gjithësisë pa mbarim,

Zbrazëtisë së askundit,
Shkalla ime ish e fundit.

Por u zgjova atë çast,
Çfarë vjen pas, ska përmasë,
Askund qiellit s’është e shkruar,
Portë e hyrjes në parajsë.

Kurrë s’e dimë se ç’të fshehta,
Na i ngre fati më pas..!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT