Luiza Xhuvani lindi më 26 mars 1964 në Sarandë.U diplomua aktore në Akademinë e Arteve më 1986, por në Teatrin Kombëtar filloi punën pas një përvoje dy vjeçare në Estradën e Sarandës. Ende studente, fillon karrierën si aktore filmi me “Dhe vjen një ditë” (Infermierja) dhe “Flutura në kabinën time” (Flutura) të V. Priftit, me të cilin fiton Kupën për Aktoren më të Mire në Festivalin e Filmit, të vitit 1985, “Fjalë pa fund” (Magdalena) i S. Pecanit, “Hetimi vazhdon” (Hetuesja), “Rrethi i kujtesës” (Mbesa) i E. Musliut, “Muri i gjallë” (Rozafa) i M. Fejzos.Nga viti 1991 e në vazhdim ka një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gj. Xhuvani, bashkëshortin e saj, nën drejtimin e të cilit interpreton në filmat “Bardhë e zi”, “Një ditë nga një jetë”, “Dashuria e fundit” (Mirjana), me të cilin fiton përsëri Kupën në Festivalin X të Filmit, më 1995, “Funeral Business” (Sana), me të cilin u shfaq në Festivalin e Venecias në vitin 2000, “Parullat” (Diana), me të cilin fiton Çmimin Aktorja më e mirë e Festivalit të Tokios 2003 dhe së fundi “I dashur armik” (2004).Në Teatrin Kombëtar interpreton vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhes, “Dhelpra dhe rrushi” (Klea) të Figueiredos, “Dasëm gjaku” (Nusja) të Lorkes, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallendyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulebardha” (Nina) të Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili me të cilin fiton Çmimin për Aktoren më të Mire të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier. Jashtë kësaj skene, interpreton në produksionet e pavarura të dramave “Valle Vdekjeje” të Strindbergut dhe “Shërbëtorët” (Kler) të Zhenetit. Arrin sërish një kulm me monodramën “Mënyrat e zonjushës Margaritë, me të cilin fitoi çmimin “Aktorja më e mirë” në Festivalin “Apollon”, 2006. Në këtë rol, si pika sipërore e aktrimit të saj, rreth një orë e gjysmë përballë publikut e vetme, duket se gjenden të shkrira e të harmonizuara njëra me tjetrën komikja dhe “dramatikja”, temperamenti i gjallë dhe vetëpërmbajtja, tempi shpesh i përshpejtuar dhe theksat e qartë logjike, ritmi i lartë dhe ndërprerjet e vrazhda, sikundër pamja nervoze kinse “dramatike” e lojës, me shpotinë e lehtë që vihet re në qëndrimin e saj ndaj personazhit.Në komedinë “Berberi i Seviljes” e Bomarshesë (2006) interpretoi rolin e Elvirës, përputhur një stili të veçante ku ndihej vesku klasicist, kurse në dramën “Korbi i bardhë” i Mihal Luarasit (2007) mishëroi figurën e një studenteje të shpenguar por me personalitet. Në rrafshe të thuketa tragjike dhe me një interpretim pasional, të fortë, në tone të epërme e të tendosura e mbajti rolin e Andromakes në tragjedine “Trojanët të Euripidit (2008). Loja e L. Xhuvanit është e pasur në emocione dhe shtresime të llojllojta, duke aktruar lirisht e në po të njëjtat nivele si te personazhet me mbartje tragjike e dramatike, ashtu edhe në gjedhët e larme të komikes, satirikes e groteskes; si tek ata që karakterizohen nga trandjet e forta apo përsiatjet e thella psikologjike, ashtu edhe tek ata me natyrë lirike, patose poetike, deri edhe melodramatike.L. Xhuvanit ka një shqiptim të pastër të fjalës, që lëviz në tone sa të buta e të ëmbla aq edhe të ashpra e të larta, ku vrullon ritmi e nga buron një emocion i drejtpërdrejtë e fillor. Aftësia per t’u rimishëruar në figura e rrafshe të ndryshme aktoriale, deri edhe tek ata me natyrë të ndërthurur, ambiguide e kontradiktore, vijon të thellohet brenda hullive të saj artistike duke i dhënë pamje më të qartë profilit krijues si aktore me ndjeshmëri të lartë e burimore, e hirshme, poetike, ashtu sikundër e shkathët, dinamike dhe me flukse të forta emocionale.

marre nga aktoret shqiptare