Sot më ke ikë për buzësh
m’je përvjell prej trupit valë, tinëzisht,
krejt uji i jetës
u derdh në gjurmët e ikjes tande
të pakuptim.
Ndërtuem fole fjalësh
ma të ngrohtë se dashnia,
ma të dlirtë se qielli
e u harruem natës pa hanë.
Tash ngjallem konkubinë
e një andrre
që vdes në ag të çdo dite
që s’jena.
E ti mbetë llavë vullkani të fjetun,
heshtja e jeme
e pavdekun.
Sot më ke ikë për duersh
e unë veç kam qeshë
se tanë këtë , vetë e kam deshtë
Ani!
Bota fle,
i gjithë.universi heshtë
TI kotesh diku
ndërsa mendimi në ty
zgjon muzikë në shqisat e mia.
Asht e çuditshme dashunia
sepse mrenda gëlvozhës së ngurtë
mbetesh e brishtë
si loti që përshkon një frikë
për me pushu në qafë
pa u ndje.
Diçka më pëshpërit amël
ndërsa ti fle.
A e din kur dielli lindë,
e rrezet e tij shpërthejnë
mija diej përmes reve,
apo kur depërton plasash,
tu e ça terrin si heshtë
që bjen pingul në qendër
të universit?
Njashtu të kam ba vend
në shpirt,
si dritë, që mjekon lehtë
një dhimbë,
një zemër të thyeme,
e paqton një britmë.
