Motiv nga Prizreni
Dil moj, dil!!!
Dil, moj dil te Shatërvani
se pa ty s’rrjedh Lumëbardhi!
Dil, moj dil, të Urë e Gurit
jepi dritë e gaz Flamurit
!
Dil, moj dil, matu me lulet!
Gur i malit për ty zbutet.
Dil moj dil, matu me qiell
kur ti flet nxjerr synë një diell
Merr një këngë ta dëgjojë Zhuri
se të pret një zog te supi!
Këmbëzbathur shko në shpate
mblidh për mua manushaqe
Merr një këngë si det në bjeshkë,
thuaj erës që të heshtë!
Dil, moj dil, më shpejt nga pragu!
se për ty zgjohet zambaku.
Dil, moj dil e puth pranverë,
bëhu flutur, luleshqerrë!
|Gjerdano lule në ballë!
vër në gjoks një shall të bardhë
Se për ty merr sy kalaja.
kënga merr të tjera maja.
Nënë këmbë rizgjohet vallja
nëpër hone ikën nata.
.
Merr një flakë e hidhja gjoksit
Thaja moj pikën e lotit!
Nëpër ballë vër xixëllonja
Të mos lërë ca pengje koha!
Nëpër male zgjoi gurrat,
nëpër odat ndizi furrat!
Porsi zanë vrapo në pyje,
numuro me mijëra yje
Bëhu flakë në shpuzore
e zgjo ditët vajzërore!
Ndale hapin te Marashi
E kudo ndaj lule gazi!
Pikëlo në varg poetësh!
Bëhu mollë përmes degësh!
Hap pëllëmbën bëje sofër
Bëhu flatra e Shqiponjës!
Ngjitu, moj në syp të këngës
Hapja moj sinorët ëndrrës
E merr frymën e bashkimit
Me mision të shqiptarizmit!
Kur Lumëbardhi shushurin
.Më zgjo gjithë krenarinë
Të ndalojë akrepat ora.
Gaz i madh të marrë kurora.
