Thursday, December 25, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me vargjet e poetit Mexhid Havolli

Çaste poetike me vargjet e poetit Mexhid Havolli

PIKËRISHT ATË DITË

Kaherë të kam thënë
se pikërisht atë ditë,
shumçka do të lindë
dhe rritet,
me dashurinë e vet.


Të kam thënë për të satën herë,
se qielli ka tjetër pamje,
nuk është siç ishte dikur.


Do të bie shi dhe vetëm shi,
sapo lumi të vajtojë
etjen e vet,
rrugëtimit për në det.


Kot ke veshur këmishë paharrimi,
u ringjalle kujtimeve
shtigje të shpresës,
që të vunë pritë,
pikërisht atë ditë.

NGA DRITARJA IME

Nga dritarja ime,
mali duket ndryshe,
lisi merr frymë më thellë.


Kënga këndohet më lart,
ka zanore më shumë,
tek fusha e mali kërkon lumë.


Përtej gjelbrimit tënd,
bilbili në një degë këndon.


Këndon mbi ato zemërime,
xhami i ftohtë mes nesh,
tek dritarja ime.

ZEMËRIM VARGJESH

Fjala ju doli nga ashtë e rrashtë, farkohej gjuha,fjala na dogj pastaj,
syri bëhej katër, për derë e votër.


Ju e dini mirë, dheu foli,
foli guri, mali nëpër xixa stralli,
për atë dhe,
fusha u bë vesh e sy për ty.


Rishtas ju pagëzova,
në emër t’atit e t’fatit,
për dashurinë që rriti shtat.


Zjarr në kështjellë, tym në votër
unë, ti e varg zemërimi,
flasim e plasim për Shkup e Shkodër.

LIRIA

Tërë jetën,
me ty u grinda.


Gur e dru,
për ty rrokullisa.


Më njërin sy,
më shikon me habi,
dryron kohën
me dhimbje në gji.


Gjak dhe lot,
na u bë jeta,
tek e çjerr fytyrën,
lakuriq e vërteta.


I zgjatëm dorë secilit mot,
shumë vite u shkrehën,
në dhimbje dhe lot.


Hyre në këngë,
në simfoni,
s’jeton dot pa mua,
unë s’jetoj pa ty.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT