TË DY, NË PEDANË TË KOHËS
Në lotin e vet, e njomi penën,
me ma shkru një cop letër.
Çdo germë ma rrëmbei zemrën,
do ta ruaj deri n’botën tjetër!
O Zot! Shpejtë e kam lexuar,
e rilexova prap me lot në sy.
Lotët në letër na u bashkuan…
u mbush letra me mall për ty!
Unë përgjigjen ia dërgova,
e dija, që e pret me pa durim.
Me gjak të zemrës ia shkrova,
në fund të saj një përqafim.
Ishim të dy të rinj atëherë,
sapo kishim fillu lulezimin.
Stinët i donim krejt pranverë,
thonim: Mos e pafshim dimrin!
Sa të lumtur ishim bashkë!
Udhëve të jetës dorpërdorë.
Ma vonë filloi ftohja pak nga pak,
na i mbuloi stinët me borë!
