-LOTI I GRUAS- TREGIM (Pjesa e parë) -ENERTIN DHESKALI- JANAR 2019
Atë të shtunë Martini e la punën pa vajtur ora dhjetë. Në të vërtetë kishte ndodhur një ngatërresë në shpërndarjen e turneve dhe atë mëngjes kishte ardhur edhe Agroni. Por meqë shoku i tij ishte nga fshati, Martini u tërhoq në turnin e natës. Pasi ndenji nja dy orë në repart, zhveshi përparësen e tij dhe shkoi piu një kafe në një nga lokalet përballë spitalit. Kur u nis për në shtëpi, ora po shkonte njëmbëdhjetë. Hodhi hapat si pa dëshirë për në drejtim të shtëpisë. Një shi i imët nisi të binte qetësisht si për të larë pluhurin e fundit të shtatorit. Nuk kishte çadër, por as nuk donte. Sikur kishte nevojë edhe ai për atë vesim të freskët vjeshtor. Nuk nxitoi. Vazhdoi qetësisht rrugën për në shtëpi, duke menduar me radhë ato që duhej të bënte. Vajza kishte nevojë për një xhup vjeshte se koha kish filluar të ftohej. Sapo kishte mbaruar 9-vjeçaren dhe ai krejt papritur po shihte se ajo kishte marrë format e një femre të rritur. Djali po shkonte në klasën e gjashtë. Para dy ditësh i kishte kërkuar t’i blinte këpucë dhe pantallona. I zhytur në mendime, me piklat e shiut që i binin faqeve arriti para shtëpisë. I mëshoi me dorën e majtë dorezës së portës së jashtme, por ajo nuk u hap. Kërkoi nëpër xhepa çelësin e bravës së saj por nuk e gjeti. I ra lehtë portës së hekurt me dy gishta, por asgjë. Një qetësi e çuditshme dhe vetëm zhurma që bënte shiu mbi asfaltin e rrugës dhe nëpër gjethet e pemëve ndihej. “Ndoshta Gridën e ka zëne gjumi, -mendoi. Është lodhur duke gatuar, larë dhe hekurosur…” Pas një hezitimi disasekondësh, Martini kërceu mbi murin e avllisë, u mbajt në kolonën prej betoni, kapërceu në fillim me këmbën e majtë e pastaj me të djathtën rrjetën e fortë katrore që qëndronte sipër murit dhe kërceu poshtë. Shiu filloi të vesonte sërish me ca litarë thuajse të padukshëm. Kur po kalonte lulishten e vogël përpara shtëpisë, u përplas shkarazi me degët e një trëndafili të kuq. Piklat e shiut që vareshin nëpër gjethet e tij i lagën këmbëzën e pantallonave. Shau me gjysmë zëri dhe shtyu me dorën e djathtë bimën. Ca petale të kuqe fluturuan prej dy gonxheve të çelura dy-tre ditë me parë. Pastaj hipi në ballkon, dhe hapi qetësisht derën e shtëpisë, duke menduar se e shoqja ishte ndoshta duke bërë ndonjë sy gjumë. Teksa po hiqte këpucët iu duk sikur dëgjoi tundjet e sustës së krevatit. Në fillim nuk i vuri rëndësi dhe u mat të thërriste emrin e të shoqes, por pa e kuptuar as vetë u përmbajt. Ende duke bluar copëza mendimesh hodhi hapat drejt dhomës së tij të gjumit. E teksa shtyu ngadalë derën, u gjend përpara një pamjeje që e ngriu në vend. Sytë iu veshën dhe ndjeu nje afsh të çuditshëm që i erdhi që nga përbrenda gjoksit e pastaj brenda një çasti të vetëm i përfshiu qafën dhe fytyrën. E shoqja lëviste me një ritëm të ngathët mbi trupin e shtrirë të një mashkulli. Ndiheshin frymëmarrjet e gulçuara të të dyve. Në fytyrën e Martinit e kuqja pushtoi çdo vend, madje edhe majat e veshëve, ndërkohë që ca bulëza fare të vogla djerse i mbinë në ballin e vrenjtosur, si vijat e rërës në një plazh të braktisur. Ai qëndronte në pragun e derës së hapur, pa lëvizur asnjë muskul, i kallkanosur nga një dhimbje që nuk gjenden fjalë ta përshkruajnë. Tavani në fillim iu duk sikur po rrotullohej duke u tundur, e pastaj sikur po zbriste poshtë, gati ta zinte poshtë e ta mbyste. Ndenji ashtu disa sekonda, por Martinit i rënduan me peshën e një jete. Mendoi aq shume ato çaste, ose ndoshta truri i tij hyri në boshllëk dhe ai nuk mendoi dot asgjë. Kushedi sa do zgjaste ai interval dhimbjeje, sikur të mos dëgjohej kërkëllitja e menteshave të derës, që kushedi sa kohë kishin pa u vajisur. Ajo meteshe u duk sikur qau bashkë me të zotin e shtëpisë. Grida ktheu kokën nga e majta e saj dhe kur pa te shoqin, zgurdulloi sytë me një shprehje ku përziheshin bashkë habia, turpi dhe frika. Kërceu si me sustë mbi pllakat e dyshemesë, ndërsa me një çarçaf të zhubrosur që duket sikur i kishte ngecur nëpër duar, tentoi të mbulonte trupin lakuriq. Atëherë doli dukshëm trupi i një mashkulli, barku i kërcyer i të cilit lëvizte me shpejtësi lart e poshtë.
