Ishe ti.
Ti më nisje kësaj rruge dhe më thoje;
Duhet ta shijosh ujët e ftohtë në Gurrë,
Duhet të mësosh të ecesh pyllit i vetmur,
E dija, doje të më bëje përpara kohe burrë.
Më thoshje se frika vritet në vegjëli,
Më besoje belxhikun netëve të verës,
Në sinorin e tjetrit këmbën mos e vër,
As shpatullat mos ja trego kurrë erës.
Ishte ansambël rrugë e “Hamatajve”,
S’është gjë as rruga që të con në parajsë,
S’është gjë as kopeshti i bukur i Edenit,
As vendet ku është derdhur para e dynjasë.
Ashtu si “shkolla” jote dhe kjo rrugë o gjysh,
Ashtu si në çdo hendek më the: “Ngri urë”,
Fjalët që dikur më ke thënë kanë zënë vend,
Themeleve të mia, si muri yt i vjetër me gurë.
