Përshpirtje
Një heshtje që zgjon veç përshpirtje…
Çapitjet e erës mbaj vesh…
Ngul nata në fyt një vërritje…
Një bulkth pastaj që më s’rresht…
Ca zëra, ca këmbë që nguten;
Një fshikull që grah e një trok
Dhe dritat, ameba që struken
Në shpirtin platitur si qokth.
Ngul syrin në terrin e thellë
E zemrën e dritës kërkoj
Ku motesh një mokër e vjetër
Më bluan mes gurësh në blojë.
Një heshtje plot psalme, përshpirtje
Si dje, si sot, mijëra vjet
Mih veten për pakëz përndritje
Si prushi nën hi veten tret.
