Një natë….
Mbajta frymën!
Përgjova natën me sytë e mendjes,
qielli lartësohej mbi botë ëndrrash.
Nëpër ajër endej fjala
që puthja jote e bëri pluhur dashurie .
Në gjysmë errësirë binin premtimet,
plasariteshin mure, thyheshin xhama,
dridhej mjegulla që mbështillte
të nesërmen.
Përuluni përpara një nate magjie,
digjini xhindet në vullkane shpirti
dhe prisni që bota të ndalë rrotullimin.
Cilën pjesë të dashurisë
e lamë të shkonte pa jetuar?
Cilën pjesë të shpirtit e lamë të humbiste në humbëtirë?
Cila pjesë e jona doli prej nesh
për të mos u kthyer më kurrë?
Ta kërkoj, mashtroj veten,
të mos e bëj, mbetem e cunguar
mes botëve që nuk ndryshojnë.
Plaket këpuca që merr me vete
udhëtarin që fort e dashuroi udhën,
plaket dhe ëndrra që merr me vete
njeriun që fort i shkelmoi dëshirat.
Mbajta frymën!
Mbështolla pas vetes natën,
druaja mos e lëndoja
nga dashuria ime…
Nga: “Psherëtimë fryme mbi gjethe