Thursday, October 17, 2024
BallinaVitrina e libritNikolle Loka-Ende më flet fëmijëria...

Nikolle Loka-Ende më flet fëmijëria…

Dua të ngjitem shkallësh e të fluturoj,
lartësive të mia,
sikur ende rritem…
Ende më flet fëmijëria:
ec…
po ku të shkoj,
pastaj më thotë: pritëm!
Po ku ta pres,
hypur mbi një re të bardhë që zbret,
a brenda shpirtit të bardhë që ngjitet,
më mirë diku në mes,
në vendtakimin e territ me dritën.
Te një ag më i bukur se hija ime në diell,
te një cak që kurrë s’më la vetëm.
Rritem,
duke u bërë më i vjetër,
më i heshtur,
më i mirë,
më fëmijë
se kur e nisa jetën…

Dallgët

Dolën prej detit guacka të mbushura me kripë,
u shua dallga mbi gurë
dhe rëra e etshme në ujë…
U bënë tash sa vjet që po ndodh kështu,
deti rri larg,
bregu dergjet në vapë,
rëra ngjitet në lëkurë
gjithë ditën e gjatë.
Hajde prap,-i them vetes,
në këtë mbretëri të fjalës e të heshtjes,
ku vetëm dallgët flasin,
e në breg lënë shpirt kur përplasen.
Në breg lënë shpirt e zemër,
lënë fjalë,
fjalë mbas fjale lënë emër.
Kësaj hapësire, ku veç dallgët lëvizin,
brigjet ia kthejnë kurrizin.

Në strehën e fjalës

Në strehën e fjalës stinët janë njësoj,
ka lule dele e lule dimri,
krijojnë fruta pjeshkët në dhjetor,
në janar lulëzojnë ftonjtë,
aromë lëshojnë blirët,
harlisen trëndafilat prej gëzimit.
Në strehën e fjalës kohët janë njësoj,
dehesh me vesë shiu
e ujë kroj,
të prek një rreze dielli,
hije të bën një mal dyshimi,
dhe mbetesh pa mend e pa gojë.
Në strehën e fjalës ndjen kureshtje,
dëshirën për të qenë kudo,
të bëhesh i djeshëm,
i nesërm,
i përjetshëm…
Me ëndrrën të jetosh në kohë…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT