KOHË UDHËKRYQESH
Dhe zëri im si tel këputet,
me askënd nuk del të matet,
një udhëkryq këtu më zhduket,
më tej një tjetër nis e shfaqet.
Era më lidh me gërshetat e saj,
në udhëkryqet e botës më hodhi,
a thua ka qenë bota shtatzënë,
që kaq shumë udhëkryqe polli.
Dhe zëri im si tel këputet,
me askënd nuk del të matet,
një udhëkryq këtu më zhduket,
më tej një tjetër nis e shfaqet.
……………………….
LETRA
Ah..,
letrën e parë nuk e ruajta,
Atë, ku s’mbajta asnjë sekret,
thëngjillin e zemrës nuk e shujta,
pastaj të tjerët ndizeshin vetë.
Ah…,
letra e parë, letra e parë,
letra që u shkrua natën me qiri,
atë nuk e shkroi një shpirt i vrarë,
po shpirti që ende i ndezur rri.
SI HARK LAHUTE
(Vendlindjes)
Zërat t’u këputën, të këndoje s’munde
Dhe këngët që s’arritën dot të këndoheshin
Këngë do të bëhesha, hark lahute
Gjersa zërat e këputur të zgjoheshin.
Vargjet i lidha me gurë të zbardhur
Dhe që e kishin ruajtur bardhësinë e parë
Për t’ia shtuar emrit tënd, e kanë mbajtur
Si nusja, në skelete fustanin e bardhë.
VENDLINDJA
Do të vij një ditë te ti
Do të vij te ti, do të vij patjetër.
Te ti, më mirë ngopem me frymë
Dhe s’plakem jo, si lis i vjetër.
Do të vij një ditë, do të vij unë
Që tani, a pak më vonë
Atje ku vendi ka më shumë
Më shumë lule dhe aromë.
Do të vij njëherë,jam i vendosur
Do të vij një ditë, do të vij me vrap
Se në vëndlindje s’ka të sosur
Dashuria, që s’më plak
………………………………………
N Ë N A
Ne, fëmijët, na mblidhte me një zë
Na mblidhte tok, si re të bardha.
Na qortonte, kur grindeshim me ndonjë
Edhe kur i dilnim nga fjala.
S’e jepte veten,e kish nga natyra
Në çdo ndryshim të beftë
Ne, si zogj, mbushnim shtëpinë me cicërima
E mbushnim nëpër ditë-netë.
Ne, fëmijët, na mblidhte me një zë
Na mblidhte tok, si re të bardha
Na qortonte, kur grindeshim me ndonjë
Edhe kur i dilnim nga fjala.
…………………………………………
M E Ë N D R R Ë N
Erdhi, dhe për gjithë natën u mbështet në krahun tim,
si një pjesë e Hënës, te pjesa tjetër,
i preva krahët, të mos ikte më këtej,
të mbetej me mua si mike e vjetër.
Me ëndrrën, të shtrirë në një shtrat,
në një çast, nga gjumi u zgjua,
tha:”U bëftë sa një vit kjo natë”,
Kur e pa veten tek flinte me mua
………………………………………..
MË LER, O DET!
S’erdha si det, kur vjen në breg,
Se deti prap në bazë kthehet.
Malli për ty bjonde më djeg,
Si puthje, malli le të shprehet.
Më ler o det, më ler, të shprehem,
S’t’i dua valët, sot s’t’i dua.
Nga puthjet sot më ler të dehem,
Se puthjet janë si valë për mua.
Dhe bjondja si një varg i lirë,
Si metaforë rri për mua.
Më ler o det, më ler më mirë,
Ti shprehem bjondes, sa e dua.
…………………………………………..
DO TË DALË ZEMRA TË TË PRESË
Nëse fjalën lashë në mes,
S’do të thotë që une s’të dua.
Dhe po s’dola të të pres,
Do të dalë zemra për mua.
Ne s’i thamë fjalët të gjitha,
Ca gjëra dhe nënkuptohen.
Dhe nëse s’do mjaftojë dita,
Te zemra do sistemohen.
Nëse fjalën lashë në mes,
S’do të thotë që une s’të dua.
Dhe po s’dola të të pres,
Do të dalë zemra për mua.