Friday, August 8, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani -PËRKUSHTIM NAIMIT

Zymer Mehani -PËRKUSHTIM NAIMIT

I përkushtohet me nderim dhe mall të thellë Poetit të Kombit,
Naim Frashëri, atij që i dha zë
dhe shpirt Shqipërisë, që ngriti
flamurin e gjuhës amtare
në kohë errësire dhe shprese të zbehtë.
Le të jetë kjo poezi një buqetë
e përulur vargjesh, në kujtim
të ditëlindjes së tij, më 25 maj
1846 – kur u lind jo vetëm një
njeri, por një epokë e tërë për një
komb.
Lavdi e përjetshme Naimit,
fjalës së tij që s’vdes dhe dritës
që na la trashëgim në çdo shkronjë shqipe.

Naimit
Në pranverën bleroshe të një maji të largët,
Kur dielli mbi Frashër ndriçonte që me natë,
Lindi një pishtar në zemrën e tokës,
Një zë i bekuar i gjuhës së zjarrtë.

Naim, o shkrues i shpresës hyjnore,
Që fjalën na fale si shpirt-përmendore,
Ti i këndove Shqipërisë me lot e me mall,
Si bilbili që s’pushon asnjëherë në zall.

Ti fole për gjuhën, për flamurin e zjarrtë,
Për atdheun që rron n’zemra për shqiptarë
Ti ndeze fanarët në errësirë të natës,
E solle mëngjesin në mes të shtrëngatës.

Në librat e tu, si në gurra të bardha,
U lanë mendime t’arta edhe u rrit fjala,
“Bagëti e Bujqësi” e “Histori e Skënderbeut”
Na lanë trashëgim bekimin e shenjtë.

I lehtë të qoftë dheu i Arbërisë,
Atdheu që e deshe me shpirt e dashuri,
Emri yt rron porsi dritë në qiell,
Naim, o poet i përjetshëm, i ngrohtë porsi diell!

Në çdo shkollë, në çdo zemër shqiptari,
Zëri yt tingëllon si kushtrim i pari,
Se pa ty, kjo gjuhë s’do të kishte trajtë,
Pa ty, kombi do ishte n’dremitje të gjatë.

Prandaj sot, më 25 maj të kujtojmë,
Me vargje e lule nderimin ta dhurojmë,
Se ti ishe frymë, dritë edhe kurajë,
Naim Frashëri – nderi i kombit, qofsh faqebardhë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT