Saturday, September 13, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani -Rrethi i jetës sipas Ciceronit (Poezi filozofike)

Zymer Mehani -Rrethi i jetës sipas Ciceronit (Poezi filozofike)

I varfri prore zgjohet me djersë në ballë,
ta sigurojë bukën për të mbetur gjallë.
I pasuri numëron fitimet me gisht,
Nga mundi i tjetrit, i fsheh dinakërisht.

Ushtari në heshtje i mbron të dy,
Me gjoksin përpara, me shpresë në sy.
Shteti i shpenzon taksat me radhë,
Për mbretër, për lypës, për armë e kusarë.

Endacaku fle nën hijen e tyre,
Jeton pa punuar, me ëndërr të thyer.
Pijedashësi pin gotën e parë…të pestë,
Harron ditën, veten, çon jetën me festë.

Bankieri në hije, i zgjuar e tinëzar,
U merr lekë të gjithëve, i bën fytyrëvrarë.
Avokati me ligj padit njerëz të mjerë,
Mbron pa drejtësi, me fjalë e pa nderë.

Mjeku, i ditur, me dorën që shëron,
Nganjëherë pa dashje, jetën ua shkurton.
E varrmihësi, në fund i heshtur, i qetë,
I mbulon me dhé, pa fjalë, si di vetë.

Kështu rrotullohet rrethi i botës,
Nga mundi, mashtrimi e dehja prej gotës.
Por urtia që rrjedh nga koha e vjetër,
Na thotë: ndrysho lojën, mos ndiq rrugë të vjetër.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT