Sunday, June 8, 2025
BallinaSportSpanja arrin finalen e Nations League

Spanja arrin finalen e Nations League

Në një ndeshje të jashtëzakonshme me plot gola dhe dramë deri në sekondat e fundit, Spanja ka mposhtur Francën me rezultat 5-4 për të siguruar finalen e Nations League, ku do të përballet me Portugalinë.

Pjesa e parë është karakterizuar nga dominimi i Spanjës, që ka krijuar raste të shumta dhe ka shënuar dy herë përmes Nico Williams (22’) dhe Mikel Merino (25’), të dy herët pas asistimeve nga Mikel Oyarzabal.

Ndërkohë, Franca ka pasur disa raste përmes Theo Hernandez dhe Kylian Mbappe, por portieri Unai Simon ka bërë pritje vendimtare për ta mbajtur portën e paprekur.

Në pjesën e dytë, gjithçka është dukur se po përfundonte herët. Adrien Rabiot ka shkaktuar penallti ndaj Lamine Yamal, i cili e ka kthyer në gol për 3-0 (54’), ndërsa vetëm një minutë më vonë, Pedri e ka çuar rezultatin në 4-0 me një kombinim të bukur me Williams.

Franca ka reaguar me një gol nga penalltia e Mbappe (59’), por Yamal sërish është shfaqur i pakapshëm dhe ka shënuar golin e pestë të Spanjës në minutën e gjashtëdhjetë e shtatë.

Kur gjithçka është dukur e mbyllur, Cherki i ka ndezur shpresat për Francën me një gol të jashtëzakonshëm në debutimin e tij (79’), ndërsa pesë minuta më vonë ka asistuar për Gusto, që ka çuar në autogolin e Vivian.

Në minutën e 90+4, Kolo Muani ka shënuar me kokë pas një tjetër krosimi nga Cherki, duke e çuar rezultatin në 5-4 dhe duke krijuar tension në fund.

Megjithatë, Spanja e ka ruajtur epërsinë dhe e ka siguruar kalimin në finale./RTK live/

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT