
Gazeta e madhe britanike, The Guardian, i ka kushtuar një artikull të gjatë ballafaqimit të nesërm mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Artikulli i “The Guardian” nis me dronin “Autochthonous”, i cili 11 vite më parë trazoi Beogradin në ndeshjen kualifikues për Euro 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë, i cili sipas tyre, shkaktoi pasoja përtej futbollit, por të cilat më pas u lehtësuan pasi ndeshja e kthimit në Elbasan kaloi pa incidente.
“The Guardian” shkroi edhe për Ismail Morinën – Ballistin, i cili ishte autori dhe realizatori i idesë së dronit, por edhe për masat e rrepta që Shqipëria ka marrë për ndeshjen e nesërme.
“Asnjë burim nuk po kursehet për të siguruar ndeshjen. Rreth 2 mijë policë do të jenë të pranishëm për takimin e parë të Grupit K mes Shqipërisë dhe Serbisë, përfshirë forcat speciale dhe antiterrorin. Për më tepër, burimet thonë se 500 oficerë civilë do të jenë në mesin e 22 mijë e 500 tifozëve. Tifozët serbë nuk do të jenë të pranishëm. Pajisje kundër dronëve janë vendosur dhe çdo tentativë për ndërhyrje ajrore do të ndalohet me forcë”.
“Ndoshta ndonjë përpjekje për trazira do të vijë në një formë tjetër – pasi në vitin 2014, përdorimi i dronëve ishte ende diçka e rrallë në jetën publike. Por këto masa rikthejnë në mendje emrin e Ismail Morinës, punonjësi i vinçit me pamje të pasherr që mori përgjegjësinë për incidentin e dronit dhe u kthye në hero kombëtar. Ai nuk veproi vetëm, megjithëse bashkëpunëtori i tij ka preferuar të mbetet në hije”.
“Sinqeriteti i Morinës pati kosto. U arrestua para ndeshjes së kthimit në 2015 për armëmbajtje pa leje dhe nuk ishte i pranishëm në stadium. Më pas, u burgos në Kroaci dhe Itali mbi bazën e një urdhër-arresti serb të lëshuar përmes Interpolit. Por në prag të kësaj ndeshjeje, llogaritë e tij në rrjetet sociale janë zhdukur. Nëse dikush e di ku ndodhet, nuk po flet. Supozohet se ai nuk do të guxojë të afrohet pranë stadiumit”, shkroi “The Guardian”, transmeton Klankosova.tv.
Mediumi britanik shkroi edhe për çështjen e biletave, ku FSHF zgjodhi shortin për ndarje të tyre dhe nuk iu dha grupeve të tifozëve që e kanë ndjekur kombëtaret ndër vite.
“’Tifozat Kuq e Zi’ reaguan me zemërim, duke e quajtur një farsë të organizuar për të pasurit. Ata do të organizohen pranë Piramidës së Tiranës, vetëm 400 metra larg stadiumit, ku do të vendoset një ekran gjigant”, shkroi “The Guardian”, transmeton Klankosova.tv.
