Wednesday, June 25, 2025
BallinaKulturëNGJARJE PROMOCIONALE NË BIBLIOTEKËN E OBILIQIT: NËN DRITËN E LIBRIT DHE FJALËS...

NGJARJE PROMOCIONALE NË BIBLIOTEKËN E OBILIQIT: NËN DRITËN E LIBRIT DHE FJALËS SHKENCORE

Obiliq, 24 qershor 2025 – Në ambientet e Bibliotekës së Re të Obiliqit, u mbajt një aktivitet kulturor me karakter letrar-shkencor, ku u promovuan dy botime të rëndësishme: “Personalitete të shkencës dhe të letërsisë” nga autori Zymer Mehani dhe “Fshati Mazgit përgjatë kohërave të historisë – vëllimi III” nga autori Fadil H. Curri.

Këtë takim e hapi nënkryetari i komunës së Obiliqit, z. Ibush Mjekiqi, i cili me një fjalë përshëndetëse përshkroi rëndësinë e mbështetjes institucionale të veprimtarive të tilla që nxisin edukimin kulturor dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë të shkruar. Më pas, fjalën e morën drejtoresha e bibliotekës, znj. Lule Thaçi, dhe z. Fadil H. Curri, në cilësinë e nikoqirit dhe organizatorit të ngjarjes, i cili me përkushtim ka ndërtuar ndër vite një platformë të qëndrueshme për promovimin e librit dhe autorëve vendorë.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të studiuesve, shkrimtarëve, poetëve, pedagogëve, studentëve dhe dashamirëve të librit nga mbarë Kosova, u paraqitën vlerësime për veprat e promovuara. Për librin “Personalitete të shkencës dhe të letërsisë”, me një analizë të thellë u paraqit prof. dr.Sadri Rexhepi, i cili e theksoi rëndësinë dokumentare dhe publicistike të veprës. Me vlerësime u shqua gjithashtu poeti Fadil H. Curri, i cili theksoi dimensionin ndërdisiplinor të studimit të prof. Mehanit.
Nga ana e tij, autori Zymer Mehani, në fjalën e tij redaktoriale, u ndal në përmbajtjen dhe metodologjinë e ndjekur në redaktimin e monografisë së z. Currit, duke shpalosur vlerat shkencore dhe etnologjike të vëllimit III të veprës “Fshati Mazgit përgjatë kohërave të historisë”. Një fjalë përshëndetëse u mbajt edhe nga prof. Sherif Paci, ndërsa Rudi Berisha, në shenjë nderimi, recitoi një poezi kushtuar fshatit Mazgit të poetit Fadil H. Curri, përfshirë në veprën e përmendur.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin të pranishëm edhe personalitete të njohura të letrave shqipe si poetet Ymrije Beqiri dhe Zylfie Gërvalla, si dhe poetët Betim Bregovina e Halil Preniqi, përfaqësues të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës: z. Ahmet Pllana, prof. Xhemajl Hajdini, z. Rrahim Sadiku dhe shumë figura të tjera akademike e kulturore, përfshirë edhe aktivistin e dalluar të komunitetit të Mazgitit, z. Mustafë Rushiti.,

Pjesë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve dhe dekoratave për disa nga kontribuuesit më të shquar në fushën e kulturës dhe humanizmit.
Një dekoratë e veçantë iu nda shkrimtarit nga Besiana, prof. Zymer Mehani, me motivacionin: “Për kontributin e përhershëm në pasurimin e letërsisë shqipe dhe për zërin e veçantë që i jep fjalës, dijes dhe kombit.

Po ashtu, me një dekoratë u nderua z. Adem Ahmet Berisha, për përkrahjen e vazhdueshme të librit dhe për vlerat e larta humanitare që mishëron në raport me kulturën.
Mirënjohje të veçanta u ndanë për: ish-drejtoreshën e Kulturës znj. Fitore Hashani, kryetarin e Komunës Xhafer Gashi, z. Feim Raçi, dhe sërish për z. Adem Ahmet Berisha.
Në përmbyllje të ngjarjes, z. Ibush Mjekiqi uroi autorët për kontributin e tyre të vazhdueshëm në fushën e dijes dhe të krijimtarisë letrare e shkencore, duke theksuar se veprat e tyre përbëjnë shtylla të rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe identitare.
Ndërkohë, z. Fadil H. Curri, me shumë emocion, falënderoi bashkëvendasit e tij, stafin komunal dhe atë të kulturës për mbështetjen që i është dhënë dhe po i jepet ende në misionin e tij krijues.
Për dokumentimin fotografik të ngjarjes u përkujdes z. Sabri Gërvalla, ndërsa e gjithë ngjarja u moderua me kompetencë të veçantë nga drejtoresha e Bibliotekës, znj. Lule Thaçi, e cila edhe këtë herë dëshmoi përkushtimin e saj në ngritjen e vazhdueshme të vlerave kulturore në qytetin e Obiliqit.
Ky aktivitet dëshmoi se Biblioteka e Qytetit të Obiliqit nuk është vetëm një hapësirë e librit të heshtur, por një agorë e gjallë e fjalës së shkruar, e debatit krijues dhe e kujtesës kolektive që lidh të kaluarën me të ardhmen përmes dijeve dhe vizionit..

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT