Po të mundja, të gjitha plagët do shëroja,
Me një ilaç pa emër sëmundjet do largoja,
Atje ku mjekësia s’gjen asnjë shteg,
Si burim i brendshëm do jepja jetë.
Po të mundja, do mbillja vetëm farë dashurie,
Tunelin e errët do ndriçoja me dritë mirësie,
Shpresën për të humburit do e mbillja në gur,
Do t’i jepja jetës ngjyra, këngë, bukuri, nur.
Po të mundja, vetmisë do i flisja ngadalë,
Me zë që s’gjykon, që qëndron pa fjalë,
Në heshtjen e thellë ku shpresat mbarojnë,
Do ndizja një fener që shpirtrat të ndriçojnë.
Po të mundja, do ndaloja luftën në çast,
Zemrën e armikut do e zbusja ngadalë,
Do t’i tregoja si dhemb një e humbur jetë,
Kur njeriu njeriun pa pikë mëshire e vret.
Po të mundja, do jepja dashuri pa cak,
Të zhdukja egoizmin, të mos kishte inat,
Sepse ndoshta urrejtja, thellë në gji,
Ka lindur nga mungesa e dikujt…si unë…si ti.
