Poezia “Baladë për Adem Jasharin” sjell një reagim të fuqishëm emocional ndaj figurës së Komandantit Legjendar, duke e kthyer kujtimin e tij në një pasqyrë të ndërgjegjes kolektive. Teksti nis me një pendesë të thellë personale — “Më vjen turp që nuk isha pranë teje” — por shumë shpejt shndërrohet në një thirrje morale për gjithë shoqërinë. Në këtë mënyrë, poeti Halil Preniqi kap tensionin mes sakrificës së brezit të luftës dhe realitetit të sotëm, ku idealet shpesh tradhtohen nga lakmia, përçarja dhe mungesa e përgjegjësisë.
Vargjet që dënojnë harresën dhe egoizmin e kohëve të sotme janë ndër më goditëset: “E ne sot harruam shpejt… Lakmia na verboi… E fare nga turpi nuk skuqemi.” Të shkruara me një gjuhë të drejtpërdrejtë e të pastër, ato nuk fshehin asgjë — as zhgënjimin, as zemërimin, as dhimbjen që buron nga krahasimi me sakrificën e jasharëve.
Poezia merr ngjyrim epik kur autori Preniqi fut zërin e Adem Jasharit, një element artistik që i jep tekstin dimension dramatik: “Eu, eu, eu… Zëri i Bacë Ademit qenka…” Ky nuk është vetëm një motiv poetik, por një ndërgjegjësim që vazhdon të kumbojë në realitetin shqiptar. Zëri i tij kthehet jo si kujtim, por si paralajmërim e si këshillë: “Atdheu bëhet me mençuri, guxim e drejtësi.”
Ndërkaq, kritika kundër ndasive krahinore dhe luftës për pushtet — “Dukagjin, Llap e Drenicë, për karrige horë u bëtë!” — e bën këtë poezi të ashpër, aktuale dhe jashtëzakonisht të guximshme. Autori nuk heziton të vërë gishtin mbi plagët që shpesh shmangen në diskursin publik: përçarjet, interesat e ngushta dhe humbja e idealit kombëtar.
Në thelb, “Baladë për Adem Jasharin” nuk është vetëm një poezi nderimi; është një pasqyrë morale. Ajo na kujton se Prekazi nuk është monument i heshtur, por thirrje e përditshme për t’u treguar të denjë për lirinë që kemi trashëguar. Nëpërmes gjuhës së sinqertë, ndjenjës së pastër dhe mesazhit të drejtpërdrejtë, poezia mbetet një apel që i flet brezit të sotëm me një urgjencë që nuk mund të shpërfillet
.Një poezi që nuk lexohet vetëm — por ndjehet !
Baladë për Adem Jasharin
Më vjen turp
Që nuk isha pranë teje
Në kohën e duhur
Vendosa të vij
E të çmallem
Së paku te varri
E ta kujtoj Ademin
Luftëtarin trim
Dhe besnik
Që dha gjak
E gjithë çka kishte
Për ne të gjallët.
E ne sot
Harruam shpejt
Rezilë u bëmë
E besën fare
S’e mbajtëm
Lakmia na verboi
E fare nga turpi
Nuk skuqemi.
Erdha sot
Në seli të shenjtë
Në Prekazin legjendar
Të nderoj
Të frymëzohem
Ta kujtoj luftën
Dhe sakrificën tënde
E ta shoh në sy
Epopenë dhe betejën
Kur filloi dhe u ndez
Flakadani.
Ku mori përmasa
Epokale
Të lavdishme
Dhe krenare.
Ndal, ju lutem pak
Një zë po e dëgjoj
‘’Eu, eu, eu’’
A e dëgjuat edhe ju?!
Zëri i Bacë Ademit qenka
Po thërret –po!
Jo s’paska vdekur
Ai është gjallë
Me zë të lartë
Po thërret.
Me mençuri
Guxim e drejtësi
Atdheu bëhet.
Atdheu i të gjithëve
E jo kështu o të marrë
Dukagjin, Llap e Drenicë
Për karrige
Horë u bëtë !

