Ah, sa e trishtë m’u duk ajo natë,
ai çast kur të ktheva shpinën,
E në heshtje të lashë,vendi im,
në shoqëri të dhimbjes.
Teksa trastën rregulloja
për të provuar fatin tim,
Një ndjesi e çuditshme më mbërtheu,
më shumë pasiguri se guxim.
Duke marrë me vete gjithçka munda,
deri edhe fotografitë e fëmijërisë…
Ndryshe, si do t’i shpëtoja kujtimet,
nga plagët e rrugës së gjatë?
I pezmatuar e mendueshëm ecja
mbi kujtimet e vegjëlisë sime,
Me kokën gjithmonë pas,
dhe sytë të mbushur me lot.
Rrallë buzëqeshja me vete,
duke kujtuar disa çaste të bukura…
Por loti në buzë bëhej pengesë,
duke ma ndalur atë.
Shenjë e qartë se ëndrrat ishin shuar.
Kurrë s’e kisha menduar ikjen larg teje,
o vendi im i bekuar.
Unë,zëri yt i fuqishëm që të tjerëve,
u thosha të mos braktisnin.
E megjithatë,sot,n’ udhëkryqet e boshësisë,
përgatis udhëtimin ,larg teje atdheu im
Për pak dritë dhe shpresë,
që ti s’arrite kurrë të ma ofroje.
