Dardha është një fshat në rrethin e Korçës, 19 km nga qyteti dhe 185 km nga kryeqyteti, në lartësi mbidetare prej 1344 m. Është fshat i themeluar në thellësi të malit të Moravës para 300 vjetësh prej atyre që kishin ikur nga pushtuesit otomanë se nuk kishin pranuar ta ndërronin fenë. Me të arritur, sipas gojëdhënës, kishin gjetur strehë te një stan, mbi të cilin kishte një dardhë të egër. Emri i fshatit kishte marrë formë nga togfjalëshi “Te stani nën dardhë”, duke u modifikuar si “Në Dardhë”, “N’Dardhë” dhe “Dardhë”. Për herë të parë u gjet emri i fshatit në një enciklopedi greke, ku thuhet: ”Në Dardhë, fshat shqiptar, u hap shkolla greqisht në vitin 1768”.

Fshati malor, me reliev shumë të thyer e të rrëpinjtë, me rrugët me kalldrëm e me shumë kroje, është bërë i njohur edhe për natyrën shumë të bukur dhe për ajrin e klimën e shëndetshme, për traditat dhe për njerëzit e shquar. Në fillim të shek. XX, rreth vitit 1913, Dardha kishte 400 shtëpi, të ndërtuara prej guri sipas një modeli të veçantë arkitekturor, të cilat i jipnin fshatit pamjen e një qyteze. Numri i popullsisë tash ka rënë shumë, për shkak të ikjes në emigracion në këto 30 vjetët e fundit. Thuhet se në fshat sot ka rreth 110 shtëpi, por vetëm 12 familje jetojnë gjatë tërë vitit në të, të tjerët janë banorë sezonal

Dardharët njihen për specialitetet autoktone, për lakrorin me dy petë të pjekur në saç dhe për rakinë e kumbullave të egra, dy herë e pjekur. Janë të njohur edhe për konservimet e ushqimeve, për turshitë e pastermat. Gjithashtu, specialitet është mishi i pjekur dhe petullat.

Përveç gatimeve tradicionale, Dardha njihet edhe për trashëgiminë e pasur kulturore, arkitekturën e veçantë të shtëpive prej guri. Trashëgimia etnografike dhe shpirtërore shpërfaqet përmes këngëve e valleve, sidomos të “valles dardhare”, si dhe për kostumet karakteristike dardhare. Krejt kjo pasuri përmblidhet, në njëfar forme, në muzeun e pasur e të ruajtur mirë të fshatit. Në muze janë të ekspozuara fotografi dhe eksponate tjera që tregojnë historinë e pasur të fshatit në kohëra të ndryshme, foto që janë bërë nga vet dardharët. Të theksojmë se Dardha, në historinë e saj, kishte 12 fotografë, që nga i pari, Jani Zengo, deri te i fundit, Leon Çika. Pos fotografëve, fshati kishte edhe 24 piktorë ikonografë, që vepruan në shek. XIX deri në fillim të shek. XX.

Në një lartësi prej 1344 metrash, ky fshat turistik jugor ultra komod 300-vjeçar me panorama të paharrueshme dhe ushqime të shijshme është vendi për të kaluar fundjavën tuaj fantastike dimërore.
Jo vetëm dimri, por të gjitha stinët e vitit manifestohen në mënyrë perfekte në Dardhë, falë pozicionit të saj me fat mes maleve dhe pyjeve. Megjithatë, në dimër, Dardha mund të jetë një nga fshatrat turistikë çuditërisht më të përsosur në Shqipëri. Shtëpi tradicionale të mbuluara me borë, disa nga ushqimet më të mira tradicionale në vend, një lloj freskie që ju mbush mushkëritë me ajër dhe ju bën të ndiheni totalisht të rinovuar. Këto, mes shumë aspekteve të tjera, kanë turistët që nxitojnë drejt këtij destinacioni mrekullisht rigjenerues.

Si fshat turistik Dardha ka qenë i përmendur dhe i preferuar shumë kohë më parë, gjë që e vërtetojnë edhe shumë dokumente e botime të kohës. Përveçse destinacion i mirëfilltë turistik, Dardha rrezaton edhe një kulturë intelektuale e popullore që e bën atë të gëzojë traditë të pasur në vlera. Dardha si shumë fshatra të tjerë të juglindjes së Shqipërisë, ka shtëpitë se saj karakteristike të ndërtuara me pllaka guri, rrugicat me kalldrëm, portat e zbukuruara me motive artistike e oborret plot me lule. Në Dardhë dikur ndodheshin njëqind burime të kthyera në çezma të bukura, ndërtuar nga mjeshtra të ndryshëm, që udhëtarët të freskoheshin e të shuanin etjen. Akoma edhe sot disa prej këtyre burimeve ndodhen nëpër rrugët e fshatit.
Mikpritja e banorëve të Dardhës është e përmendur edhe shumë larg kufijve të saj, duke filluar që nga përshëndetja më e thjeshtë që u drejtohet të gjithëve, e deri tek gatimet e mrekullueshme të zonës, që mahnisin çdo vizitor. Të gjitha stinët janë të bukura në Dardhë, por pranvera është një festë e vërtetë pasi gjelbërimi dhe lulet që Dardha i ka me shumicë, mbulojnë rrugicat e kalldrëmta dhe muret e shtëpive të bukura. Të jetosh në Dardhë mund të konsiderohet një bekim, siç pohojnë banorët e zonës, por edhe ta vizitosh Dardhën, është një kënaqësi e vërtetë, që duhet provuar të paktën një herë në jetë.
Turistët që vijnë në Dardhë, mahniten nga rregullsia e planimetrisë së shtëpive, arkitektura interesante, pastërtia shembullore nëpër rrugët me kalldrëm, që në shumicën e kohës, janë të mbushura edhe me një shtresë bari.

Akomodimi
Në Dardhë të gjitha shtëpitë e banorëve janë të përshtatshme për akomodim, me kushte komode e mjaft të rehatshme. Nga ana tjetër, ka edhe hotele që ju ofrojnë akomodim dhe restorant gjithashtu, me kushte shumë të mira dhe çmime të përshtatshme. Struktura ekzistuese përfshin edhe ish-shtëpinë e dikurshme të pushimit, që funksiononte me fletët e famshme të kampit. Sot ajo është kthyer në hotel e restorant.
Së fundi në Dardhë janë ngritur të paktën dy komplekse të mëdha turistike me parametra modernë, që do të ofrojnë përveç cilësisë së shërbimeve, edhe një kapacitet më të madh akomodues. Njëri prej tyre ndodhet në hyrje të luginës dhe ju mund ta shikoni teksa jeni rrugës për të hyrë në Dardhë, ndërsa tjetri është në qendër të fshatit. Panorama që ju ofron nga dritaret ky kompleks qe ka marrë edhe emrin e fshatit, është e mahnitshme. Është e pamundur të vini në Dardhë dhe të mos e shikoni strukturën e bukur alpine të Hotel Alpin Dardha

.