Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përdor teknologji të avancuar, përfshirë robotë detarë dhe mjete të tjera pa pilot, për të kontrolluar ngushticën e Hormuzit dhe pastruar mina, me qëllim rikthimin e sigurisë në qarkullimin e anijeve tregtare, sipas një raporti të fundit të mediave.
Gazeta The Wall Street Journal ka cituar një zyrtar të paidentifikuar të mbrojtjes amerikane, i cili ka konfirmuar se ushtria amerikane po përdor një kombinim të “kapaciteteve me personel dhe pa personel” për të realizuar operacionet kundër minave në këtë rajon të rëndësishëm për tregtinë ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.
Analistët ushtarakë, të cilët diskutuan për këtë çështje me gazetën, theksuan se ushtria mund të kryejë një skanim fillestar për mina në ngushticën e Hormuzit në një periudhë shumë të shkurtër kohore.
Ata shtuan se, pasi të identifikohen mjetet shpërthyese, mund të dërgohen robotë detarë për t’i shkatërruar ato në mënyrë të sigurt dhe efikase.
Një nga ekspertët, transmeton Klankosova.tv, Kevin Donegan, u shpreh për gazetën se “një kanal i vogël në atë zonë mund të kontrollohet brenda disa ditësh, jo javësh, duke përdorur mjete nënujore pa pilot”. Kjo metodë, sipas tij, mund të përshpejtojë ndjeshëm procesin e pastrimit të ngushticës dhe rikthimin e qarkullimit normal të anijeve tregtare në këtë pjesë të rëndësishme të botës.
Ky zhvillim i ri është pjesë e përpjekjeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës dhe mallrave të tjera në tregjet globale.
