BallinaVitrina e libritQirici Mina-Partizani i panjohur Tregim

Qirici Mina-Partizani i panjohur Tregim

5 maj, Dita e Dëshmorëve të Atdheut

Partizani i panjohur

Tregim

Plaku ndali hapat në majën e kodrës dhe nguli në tokë shkopin.
-Trimave u bëhet nderimi në këmbë!
Një lis i moçëm rrethonte me krahët e tij varrin ku ishte shkruar:
“Partizani i Panjohur, 5 maj 1944.”
-Nuk ia mësuam kurrë emrin, ama ia njohëm trimërinë…
Përkëdheli me dorë trungun e pemës dhe nisi rrëfimin rrëqethës:
-Ja, pas këtij lisi kishte zënë vend. Në gjoks shtrëngonte mitralozin e lehtë. Më shumë se një orë plumbat fërshëllenin nga të katër anët.
Luftonte në këmbë.
Kisha dalë të mblidhja dhitë që ishin trembur nga krismat e armëve dhe ishin shpërndarë mbi korien e fshatit.
Poshtë në rrugë, autokolona gjermane lëshonte tym të zi.
Partizanët u kishin bërë pritë.
Mitralieri partizan kishte mbetur pas për të mbuluar tërheqjen e shokëve.
Gjermanët kërkonin të rrethonin kodrën. Qëllonin pa pushim me automatikë. Mes tyre ishte një oficer i ri. Uniforma i vetëtinte në trup dhe në sy i lexohej guximi.
Më në fund mitralozi i partizanit heshti.
“I janë mbaruar fishekët”, mendova me dhimbje.
Befas partizani u ngrit në këmbë, e mblodhi dorën grusht dhe e vendosi në ballë.
Oficeri gjerman iu afrua disa metra.
Të dy ballë për ballë.
Partizani nuk lëvizi nga vendi.
Gjermani qëlloi me revolver.
Pas tij qëlluan edhe ushtarët.
Partizani u mbështet pas lisit.
Lisi e mbajti në këmbë.
Mú duk sikur u bënë një: lisi dhe partizani.
Cili ishte më i fortë?
Oficeri gjerman i hapi me mundim grushtin.Në gishtin e mesit i vetëtinte një unazë.
E pa gjatë.
I heshtur.
Të dy flokëverdhë.
Të dy njëzet e pesë vjeçarë.
Të dy sykaltër.
Hoqi nga dora unazën e tij dhe ia vendosi në gisht partizanit.
Dy unazat u bashkuan se në një ceremoni të lashtë.
Nuk e shtriu trupin në tokë. E la ashtu si ishte, mbështetur pas lisit.
Ushtarët i rreshtoi përballë partizanit.
-Tre batare në nderim të djaloshit shqiptar!
-Nuk nderohet armiku, zoti Volfgang!-ulëriti një nga ushtarët.
-Nderohet trimëria.
Lufta ka moralin e saj.
Zjarr!
Krismat thyen heshtjen mbi kodrën e fshatit dhe shkundën gjethet e lisit, që ranë mbi trupin e partizanit si dantellë mëndafshi e blertë.
Kur gjermanët u larguan, dola nga vendi ku isha fshehur.
Trupi i partizanit ishte ende i ngrohtë.
Qava me gulshe.
Ashtu më gjetën im atë dhe mësuesi i fshatit.
Në dorën e partizanit pamë dy unaza.
Njëra mbante çelësin e solfezhit mbi pentagram. Tjetra portretin në flori të kompozitorit të madh Volfgang Amadeus Beethoven.
-Ndoshta të dy kanë qenë muzikantë…-tha mësuesi me zë të ulët.-Ndoshta studentë në të njëjtin konservator në Vienë…
Lufta i kishte vënë përballë.
Në xhepin e partizanit gjetëm fotografinë e një vajze që buzëqeshte.
Dy ditë më vonë erdhën partizanët.
Një vajzë u afrua te varri. E puthi gurin me lot dhe shpërndau mbi të fletë trëndafilash.
E njoha.
Ishte vajza e fotografisë.
Nuk na e thanë emrin e tij.
As ne nuk ua kërkuam.
Ende e quajmë Partizani i Panjohur.
Çdo 5 maj vendosim trëndafila të kuq në varrin e tij.
Nderojmë dëshmorët e lirisë.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT