Më kërkove ndër kopshte e vreshta
Dhe shtëpi ku kërcasin shumë lugë
Ndër gjethe që mbi tokë shtron vjeshta
Dhe era llastohet me to në rrugë.
Më kërkove ndër shtigje ku vlojnë
Njerëz me dëshira të varura në sy
E prej shprese në shpresë shtegtojnë
Këmbëlehtë si kjo erë që është duke fry’.
S’le kë pa e pyetur poezia ime
Dhe derë më derë trokite
Që të më gëzosh me jeh rime.
Të më ndriçosh me flakë e shkëndija
Të më ngushëllosh në këtë natë të vonë
O sonte deri te unë të solli vetmia.
Poezi nga Qerim Ujkani