Përballë malit hijerëndë,
po qëndroj e menduar.
Çudi, si na iku kjo jetë,
rrëshqiti nëpër duar!
Ja mali, dëshmitar
i viteve plot stuhi,
i vetmi mik besnik
deri në përjetësi!
Sa të admiroj, Tomor,
mes dritës dhe hijes,
ti ngrihesh madhështor,
nuk tutesh, as nuk fshihesh!
Krenar, aty qëndron
mbi çdo stuhi e tufan,
i pamposhtur, jeton
i përjetëshmi vigan!
Hijeshinë tënde të sertë
sa shumë e admirojnë,
ndër të gjitha bukuritë
me asnjë nuk të krahasojnë!
Sa do desha të të ngjaj
si ti, i fortë, i paepur,
mes shiut dhe rrebesheve,
gjithmonë zemërhekur!
