BallinaVitrina e libritQirici Mina-Prifti që e bëri Zotin të flasë shqip

Qirici Mina-Prifti që e bëri Zotin të flasë shqip

Papa Kristo Negovani: „Ai popull që nuk gëzon lirinë, nuk e gëzon as jetën.”
Mëngjesin e dhjetë shkurtit 1905, fshatarët e Negovanit e ngulitën fort në mendje.
Zoti do të flasë shqip në kishë.
-Si është e mundur?-pyeti me frikë e ankth xha Ndoni.- A e di Zoti gjuhën tonë?
Tri gra, veshur me mollokofët e Kolonjës, u lutën njëzëri:
-Zoti ynë që je në qiell, fol shqip!
Të të ndjejmë e të na ndjesh.
Papa Kristo doli në ajodhimë. Në trup mbante rason e zezë të priftit dhe në kokë kamillafin e zi. Në cep të jelekut, e shoqja, Frosina, i kishte qëndisur një lulkuqe.
E kuqja dhe e zeza.
Atdhedashuri?
Simbol i flamurit?
Mbushur me dashuri për gjuhën e mëmës?
Për gjuhën e bukur shqipe?
Atë ditë prifti ndihej ndryshe.
Ungjillin e kishte përkthyer nga greqishtja në gjuhën shqipe, me dialektin e Kolonjës. Fjalët hynin lirshëm në shpirtin e bashkëfshatarëve negovanas.
Sa ditë, muaj e net kishte hequr gjumë mbi libra e fletore?
Besimtarët e shikonin me admirim.
-Rrofsh, Papa Kristo!
-Na e bëre Zotin të flasë shqip në kishën tonë, o bir!
-Zoti folka si të jetë kolonjar, me rrënjë e me degë.
Ato ditë kishte mbushur tridhjetë pranvera.
I bukur.
Lulja e burrërisë.
Trim i trimërisë.
Luftëtari i lirisë.
Lëvruesi i gjuhës shqipe.
Banorët e Negovanit, në lindje të Gramozit, nuk e çmonin vetëm si priftin e fshatit, por edhe si mësuesin e tyre. Për herë të parë, ai hapi në shtëpinë e tij shkollën shqipe.
Fëmijët vinin fshehurazi.
Abetaret, fletoret dhe kalemat i mbanin në gji.
Pranë zemrës.
Gramozi qëmtonte dëborë.
Të ftohtë.
Trishtueshëm.
Karavangjelisi, peshkopi i Kosturit, kishte ardhur kinse për të ndjekur meshën e priftit rebel.
Përplasi fort bastunin e argjendtë mbi pllakat e gurta të kishës.
-Fol me gjuhën e Zotit!
-Me gjuhën e Zotit po flas, hirësi…
-Zoti flet greqisht e jo gjuhën e mallkuar shqipe.
-Zoti u flet besimtarëve me gjuhën e tyre amtare. Për ne shqiptarët, gjuha që flasim është më e bekuara dhe më e lashta në Evropë.
Këtë flasim.
Këtë ndjejmë.
Gjuha e zemrës sonë.
Peshkopi u ngrit me rrëmbim nga froni.
-Ndaj u ktheve nga Rumania, zotërote? Pse nuk vazhdove të bëje zdrukthëtainr?
-U ktheva në vendlindjen time, hirësi. Vesha rason e priftit jo se nuk më pëlqente zanati me të cilin mbaja familjen me bukë, por që t’i vija më mirë në ndihmë mëmëdheut tim.
-Shtëpinë e ke kthyer në shkollë. U mëson fëmijëve abetaren shqipe.
Ka të drejtë sulltani që nuk lejon hapjen e shkollave në gjuhën tuaj të mallkuar…
-E kemi çelur shkollën shqipe të vashave në Korçë, që në vitin 1878 dhe ju e dini fort mirë. Po atë mot në Ersekë Petro Nini Luarasi hapi shkollë e parë shqipe të Kolonjës.Më shumë do të hapim në të ardhmen. Nuk na ndalni dot, hiresi, as juve dhe as perandoria osmane. Shqiponjat kanë nisur fluturimin. Drita e diturisë, siç ka thënë Naimi ynë i madh, përpara do të na shpjerë…
Shqipëria, që kur ka lindur, Shqipëri ka qenë dhe Shqipëri do të jetë.
Peshkopi turfulloi:
-Të mallkoj në emër të Perëndisë! Mos të të gjetë viti tjetër ndër të gjallët, Papa Kristo i Negovanit!
-Lëreni priftin tonë të vazhdojë meshën në gjuhën shqipe, hirësi!- klithi xha Ndoni.
-Kjo është gjuha e vërtetë e Zotit!-thirrën njëzëri fshatarët.
Peshkopi shkumëzoi nga tërbimi.
-Të pabesë! Dilni nga kisha! Prifti juaj, kisha juaj dhe fshati juaj kanë hyrë në rrugën e djallit.
Bukëshkalë!
Papa Kristo nuk e përmbajti zemërimin.
-Matini mirë fjalët, peshkop i Kosturit!
Këtu i thonë Kolonjë.
I thonë Shqipëri.
Dilni ju nga kisha, me gjithë mallkimin dhe mllefin që ju vlon në shpirt.
Ne jemi në fshatin tonë.
Në kishën tonë.
Në Shqipërinë tonë!
-Vazhdo meshën shqip, bir!- thirrën besimtarët.
Peshkopi i Kosturit doli jashtë me shpurën e tij.
Mërmëriste mallkimin:
-Mos të të gjetë viti tjetër ndër të gjallët, Papa Kristo i Negovanit!
Dëbora e ftohtë e Gramozit iu përplas në fytyrë dhe në mjekrën e zezë, më të zezë se shpirti shovinist grek.
Dy ditë më pas, në mesnatën e dymbëdhjetë shkurtit 1905, drutë në oxhakun e shtëpisë po shuheshin bashkë me vajin e kandilit.
Papa Kristo përfundoi së përkthyeri fabulën e fundit të La Fontenit, që t’ua mësonte të nesërmen fëmijëve.
Jashtë, era ulërinte si me vajtim.
Më shumë se ulërima e erës në qafën e Gramozit, kur zbret për në Ersekë, u dëgjuan trokitje të forta në derë.
Rrëqethëse.
Ndjellakeqe.
-Prifti i Negovanit, hape portën!
Gruaja dhe fëmijët u çuan nga gjumi të tmerruar.
-Kristo, kush troket çmendurisht në mes të natës?
-Frosina ime e dashur, kanë ardhur për mua… Kujdes fëmijët…
Karavangjelisi kishte sjellë nga Kreta andartët e famëkeqit shovinist grek Jani Ballaka.
Shtatëmbëdhjetë hanxharë u ngulën në trupin e Papa Kristos.
-Do të meshosh më në gjuhën shqipe?
Shtatëmbëdhjetë herë prifti iu përgjigj:
-Sa të kem frymën e fundit, shqip do të meshoj!
Shqip do të flas!
Shqip do t’ua mësoj fëmijëve abetaren e gjuhës sonë.
Ai popull që nuk gëzon lirinë, nuk e gëzon as jetën.
Në shtatëmbëdhjetë plagët e priftit të Negovanit mbinë shtatëmbëdhjetë lulekuqe dhe mbuluan me dritë malin e Gramozit.
U bënë flamuj kuqezi me shqiponjën dykrenore…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT