Të gjitha tifogrupet në Kosovë pritet të mblidhen së bashku të dielën në Prishtinë, në një protestë në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Protesta është paralajmëruar për 27 shtator, duke filluar nga ora 15:00, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga tifogrupi “Plisat”.
Përmes një njoftimi, “Plisat” kanë bërë thirrje për bashkim të tifogrupeve, duke theksuar se për këtë protestë do të lihen anash rivalitetet dhe dallimet që zakonisht i karakterizojnë grupet e tifozëve.
Sipas tyre, në këtë rast tifogrupet do të bashkohen rreth një kauze të përbashkët.
“Sa herë kohët na kanë nda, na bashkuan hallet e mëdha”, thuhet në fillim të njoftimit të publikuar nga “Plisat”.
Në vazhdim, tifogrupi thekson se është marrë vendim që dallimet mes grupeve të lihen anash.
“Sot, të gjitha tifogrupet kemi marrë një vendim: kur është puna te kombi, çdo rivalitet dhe çdo dallim i lëmë anash”, thuhet në njoftim.
“Plisat” kanë deklaruar se në protestën e së dielës nuk do të ketë ndarje mes tifogrupeve, duke e paraqitur tubimin si një bashkim rreth mbështetjes për UÇK-në dhe krerët e saj që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Sot nuk ka ndarje, nuk ka rivalitet. Na bashkon gjaku, nderi, besa dhe dashnia për tokën tonë. Na bashkon historia dhe ideali për të cilin u sakrifikua”, thuhet më tej.
Thirrja e tifogrupeve vjen në një periudhë kur në Kosovë janë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në fund të njoftimit, “Plisat” e kanë përcjellë mesazhin “BASHKË PËR UÇK”, duke u bërë thirrje tifozëve që të mblidhen të dielën në Prishtinë.
“Asgjë nuk është më e shenjtë se kombi, asgjë nuk është më e madhe se ideali”, thuhet në mesazhin e tyre.
Protestat janë zhvilluar çdo natë, me qytetarë që janë mbledhur në shesh për të kundërshtuar vendimin e Speciales dhe për të shprehur mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.
Mobilizimi pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa protestat e përnatshme pritet të kulmojnë më 1 tetor, me një tubim të madh në Prishtinë./Demokracia.com/
