BallinaVitrina e libritMimoza Zymeri-PRANË DETIT, ATË NATË

Mimoza Zymeri-PRANË DETIT, ATË NATË

Atë natë dola pranë detit
Jo për të parë hënën
E as për t’i numëruar yjet
Por se zemra më çoi atje
Ku mendimet bëhen më të zhurmshme se dallgët

U ula mbi rërën e ftohtë
Dhe ndeza një cigare kujtimesh
Tymi ngrihej drejt qiellit
Si fjalët që s’të thashë kurrë
Si një dashuri që nuk gjeti dot fundin

Deti përplasej në breg
Me një zemërim të vjetër
E pyeta nëse të kishte parë
Nëse ndonjëherë kishe ardhur edhe ti
Të flisje me të për mua

Por deti, si gjithë të mençurit
Nuk m’u përgjigj

Mendova sa i çuditshëm është njeriu
Mund të largohet nga një zemër
Të ndërtojë shtëpi në një tjetër stinë
Por një natë të vetme, pranë detit
Kthehet aty ku ka qenë i lumtur

Dhe unë nuk e di nëse më mungon ti
Apo ai njeri që isha pranë teje
Ndoshta më mungojnë të dy
Ndoshta janë bërë një
Dhe nuk di më t’i ndaj

Kur u ngrita, dallgët fshinë gjurmët e mia.
Vetëm hëna mbeti dëshmitare
Se atë natë, në breg të detit
Unë nuk po prisja askënd…

Por, për një çast
Do të kisha dhënë shumë
Sikur ti të vije 

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT