Si u bë kështu, mor vëlla – nifsh e mos pafsh,
ku hajni del me kollare,
e i ndershmi s’gjen bukë për fëmijë.
Populli i lodhur deri në palcë, duke numëruar centët për një kafshatë bukë,
ndërsa pushtetarët me vetura të zeza sillen si mbretër mbi varrin e këtij vendi.
Si u bë kështu – nifsh e mos pafsh!
Premtime plot – si tymi i duhanit, fjalë të bukura para zgjedhjeve,
e mandej harrohet populli si leckë e hedhur në rrugë.
S’ka drejtësi për të varfrit, ligji është i fortë veç për atë pa krahë,
kurse hajnat e mëdhenj pinë verë e me shtetin qeshin, me djersën e këtij populli.
Rinia po ikën çdo ditë, jo pse do luksin,
por se këtu po vdes shpresa,
këtu talenti mbytet pa marrë frymë.
Si u bë kështu – nifsh e mos pafsh!
E rinia… zemra e këtij vendi, po zbrazet si shtëpi e djegur,
valixhet flasin më shumë se ëndrrat,
aeroportet janë bërë plagë të hapura.
Nëna qan djalin në kurbet, babai plaket duke pritur një telefonatë,
shtëpitë mbetën me dry në derë, e fshatrat si varreza pa zë.
Njerëzit janë bërë ujq për njëri-tjetrin, shitet besa për pak interes,
miqësia matet me para e nderi është bërë mall i rrallë.
Si u bë kështu – nifsh e mos pafsh!
E prapë dalin në ekrane me buzëqeshje,
na flasin për “zhvillim” e “fitore”,
ndërkohë populli zhytet në borxhe e rinia merr rrugën e ikjes.
Si u bë kështu – nifsh e mos pafsh,
ku vendi yt të detyron të ikësh,
e ëndrra më e madhe e një të riu,
është të bëhet i huaj diku larg
