BallinaVitrina e libritKlara Shehu-Meditim

Klara Shehu-Meditim

Romanca nuk është ndonjë gjest madhështor, por është një vëmendje e vogël. Ajo është e pranishme kur të sheh edhe kur nuk përpiqesh të dukesh bukur. Prania në kohën e duhur dhe fjalë e thënë në momentin e përshtatshëm, është më romantike se një premtim i madh apo diçka e tillë. Romanca nuk vjen si stuhi, as si betim i thënë me zë të lartë. Ajo shfaqet ngadalë, në gjërat që nuk bien në sy dhe shfaqet në mënyrën si të dëgjon pa të ndërprerë. Ajo shfaqet edhe në një pyetje të thjeshtë që vjen pas një dite të lodhshme. Ajo shfaqet edhe në heshtjen që nuk kërkon shpjegim.

Romanca është prani. Ajo nuk është shfaqje. Ajo nuk ka nevojë për skena apo dëshmi. Ajo ka nevojë të jesh aty, pa zhurmë edhe kur dashuria tregohet e lodhur. Kjo është forma më e bukur e romancës që me kalimin e kohës ndryshon. Nuk është më dridhja e fillimit, por vazhdon të jetë ngrohtësia e një pranie që të do pranë. Ajo të mëson të jetosh çdo ditë edhe aty ku ditët janë të ngjashme, por janë të vërteta.

Romanca jeton në përditshmëri. Ajo jeton edhe në mënyrën se si artikulohet pyetja “a u lodhe?”, edhe në mënyrën se si e menaxhon heshtjen, edhe në mënyrën se si e mbron intimitetin nga bota. Romanca nuk qëndron vetëm në fillimet e dashurisë, por qëndron edhe në ditët në vazhdimësi.

Romanca e vërtetë e pranon papërsosmërinë. Nuk kërkon njeriun ideal. Ajo dashuron njeriun real, me mërzitjet, gabimet edhe ditët pa dritë. Romanca e vërtetë nuk kërkon përsosmëri. Ajo pranon lodhjen, mërzinë, edhe fjalët e pathëna. Nuk ikën kur magjia zbehet, sepse e di se dashuria nuk është vetëm ndjesi, por është kujdes i vazhdueshëm.

Romanca është edhe kujtesë. Është aftësia për të mos harruar pse u dashurove edhe kur ndjenja nuk është më e re. Një kujtim i mbajtur gjallë është shumë romantik. Sepse romantike nuk është ajo që duket e bukur nga jashtë, por ajo që zgjedh të mbetet e butë nga brenda.

Romanca nuk është frikë nga humbja, por zgjedhje për të qëndruar. Ajo nuk vjen nga pasiguria, por nga dëshira për të ndarë jetën edhe kur ajo bëhet e zakonshme. Në fund të fundit, romanca nuk është kujtim i së kaluarës dhe nuk është as premtim për të ardhmen. Por është mënyra si e trajton dashurinë sot, në këtë çast të thjeshtë që po jeton.

Romanca është e bukur edhe kur merr një dhuratë, qoftë edhe dhuratë simbolike. Është akoma më e bukur edhe kur merr si dhuratë një lule. Por dhuratat nuk janë akti sublim për të thënë se dashuria funksionon.

Romanca është mënyra e shprehjes së ndjenjave përmes butësisë, vëmendjes emocionale, gjesteve simbolike dhe lidhjes shpirtërore mes dy personave. Ajo synon të ushqejë afërsinë, intimitetin dhe idealizimin e tjetrit.

Romanca nuk është vetëm ajo që bëhet, por është ajo që ndihet.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT