Që po të shoh kështu, o Atdheu im,
me plagë të hapura e me lot në sy,
më duket se qielli ka humbur kaltërsinë,
e dielli ka harruar të lindë për ty.
Sa shumë kam vuajtur, sa shumë kam qarë,
kur të pashë të digjeshe në flakë e në hi,
kur mbi pragun tënd u shkel çdo gjë e shenjtë,
e unë, i pafuqishëm, veç të shihja me sy.
Të dogjën shtëpitë, të plaçkitën pragjet,
ta shuan këngën, ta përgjakën tokën,
të morën bijtë, të përdhunuan ëndrrat,
e dhimbja, si hije, ta mbuloi botën.
E unë ku isha, o Atdheu im,
kur ti thërrisje nëpër net të zeza?
Kur nënat kërkonin bijtë mes flakëve,
e qielli mbushej me britma e me re të zeza?
Isha larg teje, por jo larg dhimbjes,
me shpirt të lidhur për çdo gur tëndin,
me duart bosh e me zemrën e copëtuar,
pa mundur të ndalja as lotin, as tmerrin.
Më fal, Atdhe, që s’të erdha në ndihmë,
kur zjarri të hante e tymi të mbulonte!
Më fal që s’munda të bëhesha mburojë,
kur vdekja mbi pragjet e tua vallëzonte!
Sot prapë të shoh, e zemra më dridhet,
por jo nga flakët që dikur të dogjën;
më dhemb kjo heshtje që ngadalë të vret,
këto plagë të reja që shpirtrat t’i dogjën.
Të shoh të lodhur, o Shqipëria ime,
me rrugët plot hapa që shkojnë pa kthim,
me djepet e zbrazëta, me nënat në pritje,
me bijtë që të lënë, me mallin jetim.
Të shoh si qan në heshtje çdo vatër,
si ftohen oxhaqet në shtëpitë e braktisura,
si mbeten pleqtë me sytë nga porta,
duke pritur bijtë që s’kthehen nga udhët e largëta.
Kush t’i numëron plagët, o tokë e bekuar?
Kush t’i mbledh lotët që derdh çdo ditë?
Kush ua kthen nënave buzëqeshjen e humbur,
kur bijtë u largohen, duke marrë me vete dritën?
Ah, sikur të mundja zemrën ta çaja,
me gjakun tim plagët e tua t’i laja,
e mbi çdo gur, mbi çdo pëllëmbë dheu,
me frymën e fundit një fjalë ta shkruaja:
ATDHE, TË DUA!
Jo për flamujt që valëviten në festa,
as për fjalët e bukura që era i tret,
por për nënën që loton në prag të shtëpisë,
për fëmijën që pyet pse babai s’është vetë.
Të dua për gjuhën që ma fale si frymë,
për ninullat e nënës, për bukën e ndarë,
për varret e heshtura të atyre që ranë,
që të mos mbeteshe kurrë e përkulur, e vrarë.
Por sot, kur të shoh të plagosur përsëri,
kur shoh se si të shterojnë shpresat e jetës,
më duket se edhe malet kanë ulur kokën,
se edhe gurët po qajnë në heshtjen e vetes.
Dhe unë rënkoj, e shpirti më digjet,
në lumenj lotësh mbytem pa zë,
se s’di nëse nesër, kur të kthehem përsëri,
do ta gjej shtëpinë, pragun, nënën, atdheun që desha aq shumë në këtë jetë.
Më fal, Atdhe, për lotët që s’i pe,
për duart e mia që s’të mbrojtën dot,
për netët kur emrin tënd e thirra në heshtje,
e dhimbjen e mbajta të mbyllur në shpirt e në lot.
Nëse një ditë nuk kthehem më pranë teje,
nëse më zë malli në dhe të huaj,
mos më kërko në gurë të ftohtë varresh,
por në çdo varg që për ty shkruaj.
Atje do të jem, o Atdheu im,
në çdo fjalë që dhimbjen ta rrëfen,
në çdo lot që bie mbi tokën tënde,
në çdo zemër që ende për ty rreh.
Dhe nëse një ditë do të më pyesësh:
“Çfarë të dhembi më shumë, o bir, në këtë jetë?”
Do të të them: “Jo vitet që humba larg teje,
por frika se mos të humbja përgjithmonë,
pa të parë të lirë, të drejtë e të qetë.”
Se njeriu mund të jetojë larg vendlindjes,
mund të ndërtojë një jetë në dhe të huaj,
por nuk mund të jetojë pa rrënjët e veta,
as pa atë tokë ku shpirti i tij u bë gur e u bë krua.
Më fal, Atdhe!
Nëse zëri më dridhet, mos më quaj të dobët;
është zemra ime që po çahet më dysh.
Nëse sytë më lotojnë, mos m’i fshij lotët;
janë lumenjtë e dhimbjes që rrjedhin për ty.
Dhe kur të vijë dita të mbyll sytë përgjithmonë,
kur fryma e fundit të më ndahet nga kjo jetë,
mos më lër larg, në dhe të huaj,
por më kthe në gjirin tënd, o Atdhe!
Të prehem nën hijen e maleve të tua,
ku era e Sharrit ma përkundte fëmijërinë,
ku dheu ka erën e nënës sime,
e çdo gur më njeh emrin, dhimbjen, dashurinë.
Se unë mund të vdes, por dashuria nuk vdes,
mund të hesht, por malli nuk hesht kurrë.
Dhe nëse një ditë mbi varrin tim mbin një lule,
le të jetë dëshmia e fundit për ty:
TË DESHA, ATDHE,
MË SHUMË SE JETËN!
DHE MË FAL
QË NUK MUNDA TË TA SHËROJ
ÇDO PLAGË QË TË HAPI KJO BOTË!
