Është dita e të dashuruarve a dita e dashurisë?
E kam pyetur veten sot kalendarin duke shikuar
Urimin kam përseritur, bukuroshja e Dardanisë
U ktheva një vit prapa, ditarin duke e shfletuar
Se vëtëm kujtimeve edhe koha kthehet prapa
E ne e vazhdojmë rrugën e jetës, të dashuruar
Dhe nuk na ka ndalur as acari i dimrit as vapa
Pa ombrellë vazhduam mes fortunës e stuhisë
Edhe kur më nuk ecja dot mi ke falur disa hapa
E kishim ombrellën tonë, ombrellën e dashurisë
Që na mbrojti gjithë kohën e na mbron edhe sot
E vazhdon ta mbrojë oazën e vogël të lumturisë
Oazën që as shtrëngata e egër nuk e prishi dot
Që i bëri ballë edhe ballëve gjigande të tërmetit
Oazën e vogël që e kanë bekuar Perëndi e Zot
Dashuria jonë i bëri ballë valëve të larta të detit
Oqeanit ku shpëtojnë vëtëm dashuritë e vërteta
E u bë frymëzim i jetës dhe i poezisë së poetit
Që i dehur nga lumturia shkruan vargjet e veta
Edhe në këtë ditë kur vëtëm për dashurinë flitet
E unë nuk e di se nesër ku do të na dërgojë jeta
S’e di ku flamuri i dashurisë sonë do të valëvitet
Flamuri që me dashurinë tonë e kemi ngjyrosur
Dhe festa e dashurisë për ne çdo ditë përseritet
E ndoshta nuk gjeta për ty dhuratë të përsosur
Me poezinë time buqetën me lule e kam lidhur
Ti mbulove me dashuri zemrën time të leckosur
E unë emrin tënd edhe në ëndërr e kam thirrur
Ti si ëndërr skajeve të botës më përcolle mua
E kthyem në dashuri edhe çastin më të hidhur
Me lulet më të bukura urata ime sot u dekorua
Për dashurinë tonë të bekuar edhe sot jam lutur
E përtej çdo urate, pafundësisht unë ty të dua
