Si këngë mjellme zëri juaj tingëllon,
n’orbitën e shpirtit pezull m’rrin
ninullën e dritës zemra e këndon,
përmes hënës ua përcjell si himn
Loti kristal rrëshqet pa zhurmë,
shkrihet si vesë në buzët e agimit
horizonteve kudo lini gjurmë,
mi zgjoni lirikat e ngazëllimit
Me krahë të farkëtuar fluturoni,
pikturoni udhët e jetës me guxim,
kaltërsive shkëndija ndizni,
ëndrrat iu flasin në përqafim.
Mëngjesi çel me sytë e dritës,
me bekime për ju ditën e filloj,
kjo botë është një det i pafund,
ju jeni brigjet ku unë jetoj!
