BallinaVitrina e libritXhemile Aliu-PAK DRITË

Xhemile Aliu-PAK DRITË

Pak dritë, pak dritë sonte kërkova,
Nga Ati ynë, i Gjithëmëshirshmi qiellor;
Pak dritë sonte Zotit iu përgjërova,
Pak dritë mbi trollin e bekuar arbëror.

Të lëshojë rreze të arta diellore,
Të ngrohet nën qiellin e atdheut;
Pak dritë, vetëm pak dritë, o Zot,
Të shkëlqejë jeta, dritë për njeriun.

Ka kohë që dielli rrezet i ka ndaluar,
Ka kohë që dhembja dot s’pushon;
Ka kohë që vatrat mbeten të shkretuara,
Dërgo mëshirë për këto troje, o Zot!

Thonë se nëna, kur lëshon një namë,
Edhe bjeshkët e dëgjojnë gjamën;
Zemra e nënës ndihet e lënduar,
Kur sheh vatrën thatë, të shkretuar.

Kur nuk ndien më zërin e gjallërisë,
Veç mallin që djeg në shpirt për fëmijët,
Gdhijnë netët e errëta me dhimbje në zemër,
E uratat i dërgojnë nga larg, mes mallit e dhembjes.

Pak dritë sonte kërkova, vetëm pak dritë,
Në gjunjë sonte t’u ula dhe t’u përgjërova;
Shkëlqimin kërkova mbi tokën arbërore,
T’i largojmë përgjithmonë këto dhembje shekullore. 

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT