Mos u bëj si ajo!
Mos e provo, kurrë!
E hapi derën,
kur duhej ta linte të mbyllur
dhe ajo që hyri
nuk ishte dashuri,
por një uri që s’dinte të ngopej.
Në daç të tretesh,
digjesh deri në palcë,
provoje, vetëm për pak!
” Pak” është iluzion i mendjes,
që ende beson se ka kufij.
Mjafton një çast,
vetëm një çast,
që të të mësojë,
si harrohet vetja.
Një çast që të mos jesh më ajo,
që e mban emrin tënd,
dhe ta kuptosh se emri
është vetëm një rrobë mbi shpirtin e zhveshur.
Si ajo, mos u bëj!
Njeriu nuk thyhet.
Tretet si kripa në detin
që gjithmonë e ka mbajtur.
Mbaj diçka për veten
edhe kur të duket e tepërt,
por mos e quaj pronë.
Mos jep gjithçka!
Kur të kthjellohesh…
nuk do të dhemb
ajo që e humbe,
por fakti që,
nuk do të kesh kurrë ku,
as kujt për t’iu kthyer.
