Monday, December 9, 2024
BallinaLajmeNga 2 e deri në 8 orë qytetarët e Prizrenit në terr

Nga 2 e deri në 8 orë qytetarët e Prizrenit në terr

Nga dy e deri në tetë orë po zgjasin reduktimet e energjisë elektrike në Komunën e Prizrenit. Qytetarët shprehen të mllefosur që po përballen me një gjendje të tillë, të cilën e cilësojnë të njëjtë sikur kohën e pasluftës kur vendi është përballur me reduktime të shumta të energjisë elektrike.

Bizneset e kësaj komune tashmë kanë vendosur para lokaleve të tyre gjeneratorët, që po i shfrytëzojnë për shkak të ndërprerjes për orë të gjata të energjisë elektrike.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se ndërprerja e energjisë elektrike po u shkakton problemeve qytetarëve dhe bizneseve të kësaj komune.

“Po shpresoj që do të kemi nga janari një përmirësim të kësaj gjendje, kjo është një çështje globale nuk është një çështje që është krijuar nga komuna ose nga Kosova. Po dëshiroj të besoj që me një menaxhim të kujdesshëm do të kemi përmirësime të kësaj natyre. Por, gjithsesi mungesa e energjisë elektrike shkakton çrregullime edhe në prodhim, po edhe në amvisëri. Sipas drejtorit të KEDS-it ardhja e mërgimtarëve po ashtu e rëndon çështjen sepse ata kryesisht e shfrytëzojnë energjinë elektrike për nxemje dhe kjo pastaj e rritë presionin edhe më tutje… Fiks nuk mund të ju them asgjë sepse në një moment ka dy orë (reduktime), në një moment tri, varet edhe nga pjesa e qytetit, varet edhe nga rrjeti, varet nga trafostacioni. Të gjitha këto janë parametra të cilat ndikojnë për të pasur një stabilizim të furnizimit me rrymë elektrike ose”, thotë Totaj.

Kreu i Prizrenit thotë se si komunë nuk kanë asgjë në dorë, përveç se të adresojnë ankesat e qytetarëve dhe bizneseve për vështirësitë që po i kanë si pasojë e reduktimeve të energjisë elektrike.

Janë qytetarët ata që shprehen të mllefosur me reduktimet e gjatë të energjisë elektrike, e të cilët kërkojnë nga ana e qeverisë së Kosovës që të bëjnë një zgjidhje.

Arjeta Celina Makasqi thotë se janë përballur për më shumë se 18 orë me mungesë të energjisë elektrike. Kjo gjendje thotë se i kujton kohën e pasluftës kur vendi kishte reduktime të shumta të energjisë elektrike.

“Prej dje jemi katastrofë, ka 12, 15, 18 orë nëpër disa lagje të Prizrenit. Kjo është katastrofë totale dhe na keni qu si popull mbrapa pas luftës që i kemi pas, këto janë trauma për qytetarët, janë katastrofë për ekonomitë e Kosovës. Ku është rryma që e kemi pas deri tash, ju lutem prej qeverisë apo kush janë ata që duhet me dhënë përgjigje le të dalin dhe të na japin…Boll kemi heq mbas luftës menjëherë me rrymë, 3 orë kemi, 3 orë nuk kemi dhe tash mbas 15 viteve kjo po na ndodh”, thotë ajo.

Pa energji elektrike për orë të tëra kanë mbetur edhe shtëpizat që janë vendosur në qendër të qytetit. Përfaqësuesi i një nga lokaleve që janë vendosur te shtëpizat, Lirim Gashi, thotë se nuk po mund të punojnë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

“Është duke na bërë probleme të mëdha, aq sa nuk jemi duke mundur të punojmë as kurrgjë hiç. Ndërprerje ka, dje për shembull kemi pasur gjashtë orë ndërprerje dhe kurrkush kurrgjë nuk ka ndërmarrë për të bërë ndonjë gjë…Shumë vështirë e kemi edhe gjysmën e produkteve përderisa nuk kemi rrymë gjysmën e produkteve nuk mundemi me i shfrytëzu me i shërby për konsumatorët”, shprehet ai.

Në anën tjetër, qytetari Jakup Kabashi, deklaron se është e papranueshme që në këto ditë të dimrit të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për orë të tëra.

“Në mëngjes gati një orë nuk pat rrymë dhe në mbrëmje dy orë e diçka zgjati. Kështu që çka po na pengon neve sidomos neve në moshë kjo është mos ta them papërgjegjësi mirëpo nuk është në rregull në këtë kohë mos me pas rrymë dhe kjo është një përgjegjësi e shtetit. Kështu që, po na paraqet probleme në aparate shtëpiake, nervozë, çka me thënë tjetër kjo është jeta jonë. Hajde ne po e përballojmë disi, mirëpo po kërkojnë ekonomi a ekonomia po bllokohet, çka është më e zeza”, tha ai.

Edhe Erion Markaj shprehet se është e papranueshme që të këtë reduktime për gati tetë orë gjatë ditës.

“Ndërprerje të energjisë elektrike kemi pas për tetë ose nëntë orë rresht, probleme na ka shkaktuar shumë sepse në shtëpi apo për biznese afariste reduktimet e rrymës elektrike dhe prishjet e vazhdueshme të rrymës na sjellin problem…Me pagimin e faturave jemi shumë të rregullt, çdo faturë që na vije nga KEDS ne e paguajmë, por nuk jemi të kënaqur me reduktimet e shpeshta të rrymës sepse na sjell shumë probleme. Reduktimet e shpeshta për disa qytetarë janë shumë pengesë e madhe, sepse disa qytetarë janë që punojnë zanatli të filigranit dhe atyre ju sjell shumë problem për pajisjet e punimit të filigranit”, tha ai.

Kriza energjetike globale ka bërë që nga e enjtja e javës që shkoi në Kosovë të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike. Udhëzimin për nisjen e reduktimit të energjisë elektrike e ka dhënë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT